Kryetari i Komunës Ardian Gjini së bashku me Drejtorinë e Inspeksionit dhe me komandantin e Policisë në Gjakovë mbajti mbledhje me 19 zyrtarët e caktuar për shqiptimin e gjobave mandatore dhe lansuan platformë për shqiptimin e tyre.
“Do të provojmë që qytetin e Gjakovës ta shohim si qytetin më të pastër të Kosovës. Unë bashkë me ju dhe me të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm do ta bëjmë Gjakovën më të pastër. Bindjet e mia të thella janë se nëse ndonjëherë dikush ju flet për patriotizëm për komb, për shtet dhe hedh një kënaçe për dritare të automjetit mos i besoni. Minimumi i minimumit që mundet dikush me vepru për vendin e vet është të paktën me mbajte pastër”, tha Gjini
Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit tha se Ligji për shqiptimin e gjobave do të funksionojë përmes përmbaruesit privat i cili mjetet e personave të gjobitur do t’i tërheq në afat brenda 15 ditësh.
Komandanti i Policisë Kristë Gjoka tha se nuk do të mungojë ndihma e Policisë në shqiptimin e këtyre gjobave.
19 zyrtarët komunal do të jenë në aksion të përditshëm për shqiptimin e këtyre gjobave kostoja e të cilave është e përcaktuar me ligj.