376 martirët e Mejës dëshmi e çmimit të lirisë

Gjakova

376 martirët e Mejës dëshmi e çmimit të lirisë

Më: 27 prill 2018 Në ora: 14:55
Në Kompleksion Memorial në Mejë

Martirët e rënë në luftën e fundit për liri, janë themeli i lirisë së Kosovës.

Kështu u tha në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, në tubimin qendror në Kompleksion Memorial në Mejë, ku u përkujtuan 376 martirë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke kujtuar dhe shprehur ndjenjën e posaçme për Mejën, tha se ky kompleks i tregon botës mbarë për të vërtetën, sakrificën dhe çmimin që Kosova u deshtë të paguaj për liri.

Kryeministri tha se dhimbja për të rënët mund të kthehet në dritë.

Haradinaj: Këtë dhimbje mund ta kthejmë në dritë

"Për mua sot është nder por edhe një ndjenjë e posaçme me qenë në Mejë. E kemi përjetuar edhe atëherë me shumë dhimbje dhe sa herë që fjala Mejë thuhet, e dimë se çka do të thotë... Mund ta kthejmë në dritë këtë dhimbje tonën, nëse dimë me i tregu botës rrugën tonë deri në liri, por edhe kujt i takojmë", tha kryeministri.

Po ashtu, kryeministri shtoi se Kosova e ka fatin e madh që dëshiron t'i takojë popujve të lirë.

Haradinaj: Evropa nuk ka pse të vonohet me na pranu edhe neve në familje

“Ne jemi në nisje dhe e di se nisjet janë të vështira, por ne nuk lëkundemi në përcaktimin tonë euroatlantik. Evropa nuk ka pse të vonohet me na pranu edhe neve në familje, nuk ka pse të vonohet të na lejojë me qarkullu pa viza, pse duhet shqiptari me pas vizë për të hyrë në familje të vet në Evropë. Është e pakuptimtë që qytetari i Kosovës, i vetmi në këtë pjesë të Evropës të detyrohet të lëvizë me viza”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se do të bëjnë të pamundurën që në 20 vjetorin e masakrës së Mejës, masakrës më të madhe në Kosovë, ky memorial të jetë i përfunduar.

Gjini: Martirët e Mejës janë themeli i lirisë që e gëzojmë sot

"Besojmë fuqishëm në Qeverinë e Kosovës dhe do të bëjmë të pamundurën që në 20 vjetorin e masakrës së Mejës, masakrës më të madhe në Kosovë ky memorial të jetë i përfunduar dhe fati i mbi 1600 të zhdukurve të zbulohet. Ne nuk duam të ndajmë vetëm dhimbjen me gjithë Kosovën dhe botën liridashëse. Ne duam që sa më shpejt t'i kryejmë punët tona ashtu që mos të ndajmë vetëm dhimbje, por të krijojmë edhe miqësi. Ju duhet ta ktheni dhimbjen në krenari dhe mburrje, sepse më të dashurit tuaj që pushojnë këtu, janë themeli i lirisë që e gëzojmë ne, që e gëzojnë fëmijët tuaj", tha ai.

Në emër të Këshillit të Familjarëve të Kosovës, para të pranishmëve foli Ahmet Grajqevci, i cili ngriti zërin që të ngriten pllaka memoriale për të përkujtuar martirët dhe të pagjeturit në vendet ku janë gjetur trupat e shqiptarëve të Kosovës.

Grajqevci: Pa të vërtetën për të pagjeturit nuk do të ketë pajtim me shtetin serb

"Kërkojmë që të ngriten qendra memoriale për të pagjeturit dhe viktimat e luftës. Si pjesë e kësaj, do të duhej që të krijohen kushte që të ngriten pllaka përkujtimore për të pagjeturit në varrezat masive, duek ëprfshirë që këto shenjëzime të bëhen në vendet si në Batajnicë dhe në vendet e tjera ku janë gjetur trupat e shqiptarëve të Kosovës. Përfundimisht, familjarët kërjojnë drejtësi dhe pa të vërtetën për të pagjeturit nuk do të ketë pajtim me shtetin serb", u shpreh ai.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri homazhe në nderim të 376 viktimave në Kompleksin Memorial në Mejë, i shoqëruar nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Ky tubim u organizua në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, në kuadër të ‘Javës për Personat e Pagjetur’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat