Kuvendi komunal ndan 26 mijë euro për teatrin “Hadi Shehu”

Gjakova

Kuvendi komunal ndan 26 mijë euro për teatrin “Hadi Shehu”

Më: 30 mars 2018 Në ora: 16:03
Kuvendi i Komunës së Gjakovës

Kuvendi i Komunës së Gjakovës ka mbajtur sot takimin e vet të rregullt, me ç ‘rast edhe janë miratuar një sërë pikash të rendit të ditës.

Nga kryesuesi Anton Shala është bërë prezantimi i planit të punës së Kuvendit për periudhën Mars – Dhjetor 2018, duke bërë të ditur se ky plan është harmonizuar në bashkëpunim me kryetarin e komunës dhe me ekzekutivin.

Nga ana tjetër, Ardian Gjini, kryetar i komunës së Gjakovës ka dhënë informatën për planin e punës së ekzekutivit për vitin 2018, në të cilën përfshihen objektivat e planifikuara nga secila drejtori veçmas. Me këtë rast, kryetari Gjini, ndër tjerash ka veçuar se në konceptet e tij qeverisëse është rritja e inkasimit të të hyrave vetjake, shtimi i investimeve nga jashtë institucionit të komunës, hyrje-daljet e qytetit, qarkorja, vazhdimi i projektit të rrugës “Bujar Roka”, zgjerimi dhe zgjatja e rrugës për në “Majën e Kurorës”, impianti dhe kolektori i ujërave të zeza, rregullimi i shëtitores tek lumi “Krena”, renovimi dhe aneksi i objektit të komunës, si dhe projekte të tjera infrastrukturore, sociale, kulturore, e të tjera, në dobi të qytetarëve.

Kuvendi komunal i Gjakovës ka miratuar edhe planin e punës së KKSB-së, që është prezantuar nga major Kristë Gjokaj, si dhe plani i transparencës për komunën e Gjakovës për vitin 2018.

Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka prezantuar raportin final financiar të Komunës së Gjakovës për vitin 2017. Pas miratimit të kësaj pike, po nga drejtori Durim Halilaj është kërkuar dhe miratuar edhe bartja e buxhetit të pashpenzuar nga viti i kaluar në vitin 2018 në shumë prej 1,194,640.64 euro.

Për Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”, nga takimi i sotëm i kuvendarëve të Gjakovës është arritur miratimi për ndarjen e subvencioneve në shumë prej 26.000.00 euro. Pajtueshmëri nga kuvendarët pati edhe për miratimin për themelimin e Komitetit për Shërbime Publike (KPSH), si dhe për themelimin e Komisionit te Ankesave për dhënien ne  shfrytëzim te pronës komunale.

Nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Gjakovës janë miratuar edhe pikat e propozuara nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit që kanë të bëjnë me kërkesat e KEDS-it për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës  komunale në Firzë, Trakaniq, Cërmjan, Gjakovë-qytet, si dhe në Pjetërshan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat