Spitali i Gjakovës angazhoi mjekun serb për një operacion që e kryejnë kirurgët e Kosovës

Gjakova

Spitali i Gjakovës angazhoi mjekun serb për një operacion që e kryejnë kirurgët e Kosovës

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 17:05
Ilustrim

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka angazhuar mjekun nga Serbia Dr. Nenad Ivanovçeviq për të kryer një operacion për heqjen e lukthit. Mjeku nga Beogradi u angazhua me arsyetimin se ky lloj operacioni nuk kryhet në QKUK, por kirurgët në Kirurgjinë Abdominale e aplikojnë tash e disa vite më parë

Reparti i Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda” më datën 9 janar të këtij viti, parashtroi një kërkesë në Bordin për Licencim pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për licencimin e një profesionisti shëndetësor të huaj.

Spitali i Gjakovës kërkoi të licencohet përkohësisht specialisti i kirurgjisë nga Beogradi, Dr. Nenad Ivanovçeviq për operimin e pacientit Xh. K. (20.11.1957) nga Prizreni. Dr. Ivanovçeviq ishte ftuar të kryente operacionin e gastrektomisë totale (heqjes së lukthit).

Bordi për Licencim e kishte aprovuar kërkesën një javë më vonë, duke licencuar mjekun serb me 10 ditë angazhim brenda vitit kalendarik sipas Udhëzimit Administrativ 06/2012 për licencim të profesionistëve shëndetësor, qytetar jo-kosovar.

Në vendim të cilin e posedon Gazeta, Bordi e kishte ngarkuar Spitalin e Gjakovës me përgjegjësi në rast se pacientit i shkaktohet ndonjë dëm eventual.

Më datën 22 janar, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Dr. Ahmet Asllani, e kishte transmetuar tek Shefi i repartit të Kirurgjisë, Dr. Idriz Alija dhe Shefi i traktit operativ Dr. Fatos Haxhosaj.

Drejtori Asllani thotë se mjeku serb është sjellë në Spitalin e Gjakovës fillimisht me kërkesë të pacientit, i cili sipas tij nuk ka mundur të udhëtojë jashtë Kosovës.

“Kërkesa është bërë nëpërmjet repartit të Kirurgjisë dhe gjithçka ka qenë zyrtare. Operacioni është kryer bashkë me mjekët tanë dhe anesteziologët”, deklaron Asllani.

Ai shton se spitali nuk ka paguar për ardhjen e Dr. Ivanovçeviq, por nuk e di nëse familja ka bërë një gjë të tillë. Dr. Asllani thotë se operacioni për heqjen e lukthit nuk kryhet në spitalet regjionale, ndërsa shton se në QKUK “herë thonë e bëjnë e herë jo”.

Por një operacion i tillë bëhet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale nga kirurgët e Kosovës. Heqja totale e lukthit është e përshkruar edhe në faqen zyrtare të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.

Një nga kirurgët e kësaj klinike i cili nuk dëshiron të prononcohet zyrtarisht, thotë se përgjatë vitit bëhen 4-5 operacione të tilla. Madje ai deklaron se heqja e lukthit në QKUK është bërë edhe para luftës.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. Ndonëse thotë se nuk ka qenë në dijeni për ardhjen e mjekut serb, ai ka deklaruar për Gazetën se heqja e lukthit kryhet nga kirurgët e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.

Pak ditë para se të kryhej ky operacion, Spitalin e Gjakovës e kishte vizituar ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili. Atij i ishte kërkuar shtimi i personelit të mjekëve, ndërsa vet kishte kërkuar më shumë përgjegjësi nga udhëheqësit e këtij institucioni shëndetësor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat