Gjakova merr mbështetje nga Qeveria për disa projekte të rëndësisshme

Gjakova

Gjakova merr mbështetje nga Qeveria për disa projekte të rëndësisshme

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 16:00
Ministri i Infrastrukures, kryetari i Gjakoves dhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapesinor

Projekte në ndërtimin e infrastrukturës, në fushën e kulturës, sportit dhe trashëgimisë, si dhe në trajtimin e mjedisit janë premtuar nga tre ministra të Qeverisë së Kosovës, për komunën e Gjakovës.

Këtë premtim e kanë dhënë ministri i Infrastrukturës Pal lekaj, i Kulturës, Kujtim Gashi dhe ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj gjatë një vizite të përbashkët që i bënë kësaj komune.   

Nikoqiri i kësaj vizite, kryetari i Gjakovës Ardian Gjini e ka quajtur fitore të ditës komunën që ai drejton, sepse mori mbështetje në realizimin e shumë projekteve në fusha të ndryshme nga ministrat e Qeverisë.

 “Mendoj që sot jemi fitues të ditës, mirëpo, kjo fitore nuk do të thotë asgjë më tepër se sa një obligim sepse investimet kanë munguar për një kohë të gjatë. Me ministrin kemi biseduar për terrenet e tenisit, projektin e shtëpisë e kulturës në Rogovë, kemi biseduar edhe për projekte tjera të trashëgimisë në Gjakovë. Me ministren kemi biseduar për shumë projekte që ndodhin në Gjakovë, për ujërat, për trashëgiminë natyrore, për gjithçka tjetër. Ndërsa, me ministrin Lekaj iu thashë kemi nënshkruar memorandumet për pesë projektet kapitale ndër to edhe fillimi i ndërtimit të qarkores”, tha Gjini. 

Kreu i Gjakovës, tha se kanë biseduar edhe për anulimin e kredisë për Gjakovën, pasi nuk do të ketë nevojë për kredi, pasi që infrastruktura në Gjakovë do të ndërtohet siç është ndërtuar në krejt Kosovën,  nga buxheti i shtetit.  

Për të siguruar ndërtimin e infrastrukturës, kryetari Gjini dhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi. 

Me këtë rast Lekaj tha se janë diku 16 projekte që do të financohen për Gjakovën, por ai ka përmendur ndërtimin e qarkores së  qytetit,  e cila do të kushtojë afër 8 milionë euro. Lekaj: Do të investojmë 14 milionë euro në Gjakovë (Video) “Ne sot nënshkruam me kryetarin e Gjakovës Ardian Gjini, një memorandum për bashkëfinancim apo për mbështetje që i bëhet komunës së Gjakovës në infrastrukturë në vlerë prej 14 milionë euro. Kjo do të jetë një fillim, nuk do të përfundojmë me këtë shumë, por unë jam zotuar edhe para Gjinit, qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës se Gjakova do të përfundoj a të që meriton, sepse kemi pas mbetur zorrë qorre e Kosovës dhe tani e tutje nga sot Gjakova po e merr atë që meriton”, tha Lekaj. 

Projekte të rëndësishme për Gjakovën janë premtuar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. 

Gashi përmendi disa projekte në fushën e sportit, kulturës dhe trashëgimisë. 

Gashi: Do të ndërtojmë terrene sportive, qendra kulturore (Video) “Po ashtu biseduam edhe për ndërtimin e një stadiumi ndihmës, meqë Gjakova klubin e saj të futbollit e ka në Superligë dhe dëshirojmë që ne t’iu ofrojmë kushte me të mira edhe klubit edhe Gjakovës por edhe gjitha klubeve tjera të futbollit në Gjakovë në mënyrë që të kenë hapësira për tu përgatitur për lojëra qofshin kombëtare apo ndërkombëtare. Janë edhe dy lajme të mira një për sportin dhe një për trashëgiminë. Këto ditë kemi nënshkruar edhe rregulloren për sponsorizimin e sportit dhe tash të gjitha sportet do kenë mundësi që të financohen edhe nga donatorët edhe nga bizneset e ndryshme dhe luta kryetarin që ta shfrytëzon këtë akt nënligjor që kemi fuqizuar këto ditë. Po ashtu dje kemi themeluar inspektoratin e trashëgimisë”, theksoi Gashi.  

Po ashtu në Gjakovë do të ndërtohet kompleksi më i madh rinor në fshatin Pjetërshan, për të cilin Gashi tha se së shpejti bashkë me organizatën ndërkombëtare amerikane do të fillojnë investimet.

  Projekte të shumta do të ketë edhe në fushën e mjedisit. Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, konfirmoi se kanë ndarë për këtë vit dhe vitet në vazhdim pjesë nga buxheti i Ministrisë për trajtimin e mjedisit në Gjakovë. 

Reshitaj: Do të investojmë në rehabilitimin e shtretërve të lumenjve  (Video) “Gjithashtu në projekt kemi ndarë për trajtimin e lumit “Krena” diku 220 mijë euro nga Ministria e Mjedisit, për rehabilitim të këtij shtrati. Gjithashtu është një projekt i trajtimit të ujërave të zeza, një projekt i stërvonuar për komunën e Gjakovës që do të fillojë këtë vit. Janë diku 16 deri 17 milionë euro për ndërtimin e impiantit për ujërat e zeza. Një pjesë mbulohet nga Ministria, një pjesë tjetër nga donacionet nga qeveria zvicerane dhe gjermane”, tha Reshitaj.  

Këtë vit, Reshitaj tha se janë zotuar se Gjakova do të pastrohet nga mbeturinat dhe do të jetë një qytet i pastër.  Po ashtu, ministrja e Mjedisit konfirmoi edhe ndarjen e 200 mijë eurove ndërtimin e ujësjellësit për 28 fshatrat e Rekës së Keqe të Gjakovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat