E kujt është Kosova?

Gjakova

E kujt është Kosova?

Nga: Driton Gashi Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 15:12
I mora shembuj këto dy familje si përfaqësues të shumë familjeve tjera të dëshmorëve në Kosovë. Secila nga ta do e meritonte gjithashtu të përmendet.

Nuk është Kosova as e filan politikanit, as e filan partisë, as e filan televizionit apo moderatorit, as e filan këngëtares, as e filan zëvendësministrit, as e filan biznesmenit, as e filan fistekut! Kosova është e jona, e imja, e jotja, e gjyshes sonë, e stërgjyshërve, e të parëve tanë, e mijëra, dhjetëra mijëra dëshmorëve, që edhe jetën e kanë dhënë për këtë vend.

Fytyra politike që janë konsumuar këto njëzet vitet e fundit na shfaqen sapo të hapim televizorin, gazetat e shtypura, portalet e gazetave ose mediat tjera. Nuk mund t'ju ikim dot. Na përcjellin kudo që shkojmë si hije. Thuase Kosovën e kanë pronë të tyre, e kanë trashëguar nga babë e babëgjysh. Sillen më shumë si sundimtarë se si përfaqësues të popullit, i cili i ka zgjedhur me pritshmëri të larta.

Bashkë me ta disa nga "yjet" që këndojnë këngë koti e na shesin mend nëpër televizione sa shtrenjtë kanë kushtuar rrobat e tyre me vizëllima, të cilat na i ekspozojnë edhe direkt nga dollapi i tyre në shtëpi. Ose ku e kanë pritur natën e parë, të dytën dhe të tretën e vitit të ri dhe sa ka kushtuar hoteli (sa për kuriozitet: askund në botë nuk festohet viti i ri tri herë, kjo marrëzi bëhet vetëm në vendin më të varfër në Europë!). Dasma e kanagjeqe të shtrenjta të këtyre "yjeve" ose të fëmijëve të tyre na emitohen në televizione publike dhe bëhen ngjarje të rëndësishme në vend. Debate dhe lajme të kota, sipërfaqësore, pa kurrfarë vlere. Athua aq poshtë kemi rënë si shoqëri?

Nuk dua të pajtohem që Kosova ka rënë aq poshtë dhe që disa grupe njerëzish duan t'a përvetësojnë vendin tonë. Në asnjë mënyrë. Nuk e kam ndërmend bile të lejoj që emocioni që kam për vendin tim dhe qasja pozitive ndaj tij të njolloset nga askush. Nuk është Kosova as e filan politikanit, as e filan moderatorit, as e filan këngëtares, as e filan zëvendësministrit, as e filan biznesmenit, as e filan fistekut! Kosova është e jona, e imja, e jotja, e gjyshes sonë, e stërgjyshërve, e të parëve tanë, e mijëra, dhjetëra mijëra dëshmorëve, që edhe jetën e kanë dhënë për këtë vend. Është vendi i të pagjeturve, i nënave, baballarëve të tyre dhe i familjarëve të dëshmorëve tjerë, të cilët me zemër të thyer mundohen të jetojnë një jetë "normale", për sa është e mundur të jetë e tillë pas humbjes së bijave e djemve të tyre.

Dy prej këtyre të fundit kisha nderin t'i takoj vitin që sapo lëmë pas. Zonjën Ferdone Qerkezi nga Gjakova, e cila ka humbur të shoqin dhe katër djemtë e saj dhe në shtëpinë e saj e shëndërruar në muze ruan me shumë dinjitet kujtimin për ta. Me fotografi, rroba të djemve, fustanet e nuseve të tyre, të cilat nuk i panë më kurrë burrat. Vizita te kjo nënë fisnike ishte ndoshta përjetimi më emocionues që kam patur në jetën time. Edhe mikja ime Yllka Alidema, mësuese e shkollës shqipe në Londër dhe e bija e atdhetarit dhe historianit të shquar kosovar Halil Alidema, e cila më shoqëroi në këtë vizitë, kishte po atë emocion. Me gjithë atë humbje dhe dhembje të madhe, të cilën ne as për së afërmi nuk mund t'a imagjinojmë, zonja Ferdone nuk është thyer dhe nuk është përulur, por është gjithmonë kryelartë dhe krenare për bijtë dhe të shoqin si dhe pret e përcjell çdo ditë delegacione vizitorësh nga e gjithë bota me një zemërgjerësi e mirësi të paparë. Në atë shtëpi gjakovare historia e dhimbshme e luftës së fundit jo që shihet me sy, por edhe ndjehet shumë afër.

Vizita e dytë ishte në familjen e Sokol Begut në Mitrovicë, baba i dëshmorit Fitim Begu, i cili u vra në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare në fshatin Kaçanoll të Shalës së Bajgorës. I sëmurë rëndë nga asma, i varur nga boca e oksigjenit, i palëvizshëm në karrocë, baca Sokol me të shoqen na pritën me shumë mirësi atë ditë dhjetori në Mitrovicë. Ai dhe e shoqja kujtonin të birin me lot në sy, si dhe tregonin për gjendjen e rëndë ekonomike të familjes, ku pensioni që marrin nuk mjafton as për ilaqet e domosdoshme. Edhe këtu e kisha ndjenjën e njëjtë si në Gjakovë: Me zemër të plagosur për të bijtë dhe prapë forca dhe energjia që rrezatonin këto familje ishin diçka e veçantë. Kur i shihje se si përballonin gjithë atë dhembje, "problemet" tona të përditshme të duken aq të vogla, pothuajse të parëndësishme.

I mora shembuj këto dy familje si përfaqësues të shumë familjeve tjera të dëshmorëve në Kosovë. Secila nga ta do e meritonte gjithashtu të përmendet.

Këto nëna, baballarë, motra, vëllezër, fëmijë, meritojnë respektin më të madh që mund t'a kemi dhe solidaritetin tonë me ta. Jam i vetëdijshëm se një vizitë e shkurtë nuk ua shuan dhimbjen dhe nuk bën mrekullira. Por është së paku një gjest i mirë, një moment simbolik dhe mirënjohës për sakrificën që kanë bërë për ne të gjithë.

Ndoshta do na bënte mirë të gjithëve t'ju rikthehemi gjërave esenciale, të rëndësishme, të vlefshme, të moralshme, e t'i ikim terrorit të konsumit, shpenzimeve të kota vetëm për t'u treguar se jemi dikushi, pa kurrfarë baze e pa kurrfarë vlere. Kosova ka shumë resurse, qofshin ato njerëzore, tradicionale, kulturore, por edhe materiale, të cilat duhet t'i aktivizojë dhe t'i shfrytëzojë për të mirë. Jo të presim vetëm nga të tjerët.

Kosova është e Ferdone Qerkezit, e Sokol Begut dhe e gjithë familjeve tjera të dëshmorëve!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat