Alternativa kritikon Ardian Gjinin për dëmtim të buxhetit komunal

Gjakova

Alternativa kritikon Ardian Gjinin për dëmtim të buxhetit komunal

Më: 11 janar 2018 Në ora: 17:41
Alternativa

Mbyllja e Qendrës Informative, emërimi i shumë këshilltarëve të drejtorëve të qeverisjes lokale, devijimet dhe tendencat për ndërtime pa leje, kthimi në punë i juristit që ushtroi dhunë fizike ndaj drejtorit të QKMF-së, heqja e miliona eurove investime për Gjakovën nga qeveria qendrore, si dhe tendenca për anulimin e procesit të ligjshëm të banimit social, janë disa nga të gjeturat e Alternativës gjatë 30 ditëve të para të punës së kryetarit Ardian Gjini.

Kështu bëri të ditur shefja e grupit të asamblistëve të Alternativës në këtë komunë, Diana Qarkagjija, e cila në një konferencë për media, tha se për vetëm një muaj qeverisjeje nga Ardian Gjini, Komuna e Gjakovës u mbyll para opinionit publik.

Ajo tha se kreu i komunës po e dëmton buxhetin komunal duke ndjekur modelin e qeverisjes të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas saj, këtë e dëshmon edhe  rasti i emërimit të drejtorëve të drejtorive nga ana e kryetarit Gjini, duke mos dhënë as më të voglën informatë për bagazhin e tyre profesional.

Qarkagjia: Gjini po praktikon modelin e famshëm të Haradinajt

“Njëjtë, larg vëmendjes të publikut të komunës së Gjakovës, filloi të publikohet modeli i famshëm i kryeministrit Haradinaj, që në këtë rast filloi të aplikohet edhe në komunën e Gjakovës. Për këtë kemi të bëjmë se kryetari Gjini ka emëruar një numër të madh të këshilltarëve gjatë qeverisjes lokale në komunën e Gjakovës. Gjatë kësaj kohe buxhetit të komunal i shtohet edhe paga shtesë për këshilltarin e kulturës, arsimit, financave, bujqësisë, kurse në proces janë edhe emërime tjera që pritet të ndodhin brenda pak ditësh”, tha ajo.

Si aktin më të madh të mbylljes së Komunës së Gjakovës përpara qytetarëve të saj, Alternativa e konsideron mbylljen e Qendrës Informative, projekt i financuar për katër vite me radhë nga UNDP.

Qarkagjia akuzoi qeverisjen e re komunale të Gjakovës për shkelje të përditshme të ligjit kundër duhanit, raki, emërime, favore dhe shkelje të shumta.

Qarkagjia: Po shkelin ligjin kundër duhanit

“Shkeljet e ligjit kundër duhanit kanë ndodhur nga kryetari dhe zyrtarët në kabinetin e tij, dhe atë gjatë orarit të punës, ku konsumohet edhe alkooli. Devijimet dhe tendencat tjera për ndërtimet pa leje. Gjatë këtij muaji, banorët e komunës së Gjakovës, kuptuan se me ardhjen e qeverisjes Gjini lulëzuan edhe tendencat e para për ndërtimet pa leje, devijimet dhe planet rregulluese në bazë të klaneve partiake”, u shpreh ajo.

E rast konkret për këtë, Qarkagjia tha se është neglizhenca e Inspektoratit të Punës për të inspektuar ndërtimet para hotelit “Pashtriku”, ku është bllokuar komplet ura që lidh pjesën e re dhe të vjetër të qytetit.

Sipas saj,  Alternativa e vlerëson gënjeshtër të madhe rastin e stadiumit të ri të qytetit, premtim ky i kryeministrit Haradinaj, e që në fakt siç tha ajo, nuk është përfshirë në buxhetin e planifikuar të MKRS-së.

Qarkagjia tha se Alternativa fton kryetarin aktual të komunës së Gjakovës që t’i rikthehet shërbimit ndaj qytetarëve, duke hequr dorë nga shërbimi që ‘po i bënë militantëve dhe klaneve të AAK-së’ që në muajin e parë të qeverisjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat