Vullnetarë të Let's Do It Kosova pastrojnë Gjakovën

Gjakova

Vullnetarë të Let's Do It Kosova pastrojnë Gjakovën

Më: 23 dhjetor 2017 Në ora: 18:41
Aksioni i Let's Do It Kosova

Dhjetëra vullnetarë të Let's Do It Kosova kanë pastruar deponinë e mbeturinave në Lagjen Berkoc (në afërsi të varrezave të qytetit)  të Gjakovës.

Në aksionin e sotëm u mblodhën 100 thasë me mbeturina dhe dy kamionë, ndërsa mori pjesë edhe kryetari i ri i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Ky aksion u realizua në bashkëpunim me Kompaninë e pastrimit të mbeturinave "Çabrati", e cila ofroi makinerinë e saj si dhe punëtorët morën pjesë në aksionin e pastrimit. Në organizimin e aksionit ka ofruar ndihmë edhe organizata "Iniciativa e Femres Kosovare (IFK) në Gjakovë, të cilët po ashtu morën pjesë në aksion.

Pajisjet logjistike për organizimin e këtij aksioni u mbështeten nga projekti "Let's Do It Legal", i financuar nga Zyrja e Bashkimit Evropian në Kosovë, zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe impementuar nga Let's Do It Kosova.

Drejtori i Let's Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se sot në Gjakovë janë bashkë me vullnetarë dhe mbështetës të tjerë që të pastrojmë deponinë e cila është afër varrezave. Tutje, ai deklaroi se fatkeqësisht pamje të tilla ka mjaft shumë në Gjakovë dhe gjithandej Kosovës. "Kjo pamje këtu përplot me mbeturina nuk është kultura e qytetarëve të Gjakovës, andaj nga ky aksion bëj thirrje që ashtu siç i mbajmë pastër pronat tona private, t'i mbajmë edhe pronat publike sepse është shtëpia jonë e përbashkët", tha Hasanaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini falenderoi LDIK për aksionin si dhe u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin. Tutje, ai u zotua se komuna do të bëjë të pamundurën që çështja e problemit të ndotjes së mjedisit të trajtohet me prioritet. Ai shtoi se në një afat të shpejtë do të largohen të gjithe deponitë ilegale.

Let's Do It Kosova u njofton se aksionet e tilla do të vazhdojnë, andaj ju bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm pë ruajtjen e mjedisit jetësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat