Lluka: Aeroporti i Gjakovës, potencial që duhet aktivizuar

Gjakova

Lluka: Aeroporti i Gjakovës, potencial që duhet aktivizuar

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 16:04
Valdrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, deklaroi sot nuk përjashtohet mundësia që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim kompanisë turke “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ai këto komente i bëri gjatë vizitës që i bëri dy kompanive publike, ‘KRU Gjakova’ dhe Aeroporti i Gjakovës, ku me menaxhmentin e tyre ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen. 

Gjatë vizitës në Ujësjellësin Rajonal Gjakova, ministri Lluka u informua nga kryeshefi Ismet Ahmeti rreth gjendjen aktuale dhe planeve për zhvillim të kësaj ndërmarrje publike, e cila humbjet në rrjet nga 70% në vitin 2011 i ka ulur në 47% këtë vit,  me synim që ato të arrijnë në normat e BE-së që është rreth 8 - 12 për qind. 

Ndërkaq, në aeroportin e Gjakovës, ministri Lluka u prit nga kryeshefja Ekzekutive, Vlora Gojani, ku u informua rreth statutit të kësaj ndërmarrje publike, punën dhe problemet me të cilat ballafaqohet.

“Është një aset jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin dhe ne mendojmë se duhet të aktivizohet që të gjenerojë zhvillim ekonomik, që të ketë më shumë fluturime, të sjellim më shumë turistë si dhe normalisht të punësojë, si rezultat i kësaj”, tha Lluka.

Ai tha se ka filluar disa procedura tashmë për aktivizimin e këtij aeroporti dhe aktualisht janë duke shikuar formën më të mirë ligjore që është e mundur.

“Besoj që shumë shpejt, jo më tepër se gjysma e vitit të ardhshëm ne të jemi në gjendje të kemi diçka konkrete rreth procedurave të aktivizimit të këtij aeroporti’, tha Lluka. Ai tha nuk përjashtohet mundësia që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim kompanisë turke “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi kjo kërkon vetëm një partneritet shtesë - partneritet publik-privat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat