Brazili fitoi 2-0, por trajneri Tite ka kritika për lojtarët e tij

Futboll

Brazili fitoi 2-0, por trajneri Tite ka kritika për lojtarët e tij

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 09:19
Tite

Trajneri i Brazilit, Tite, pranon se skuadra e tij nuk ka qenë në më të mirën e vet gjatë fitores 2-0 kundër Arabisë Saudite, të premten. Golat e Gabriel Jesus dhe Alex Sandro siguruan triumfin e “Selecao” në Riyad, ndërsa Tite regjistroi fitoren e 23-të në 29 ndeshje si trajner i Brazilit.

Por, ai pranoi se shpresonte të shihte më shumë nga skuadra e tij: “Që nga fillimi, nuk kemi luajtur siç e kishim imagjinuar. Performanca ishte nën mundësitë tona. Ne luajmë më shumë, prodhojmë më shumë, konkurojmë, tregojmë një nivel më të lartë përqendrimi se kaq. Shumica e lojtarëve ishte nën nivelin tonë të zakonshëm”.

Brazili aktualisht po eksperimenton me një numër lojtarësh të rinj, ndërsa po punon për “Copa America” të vitit të ardhshëm. Tite vazhdoi të pranonte se duket mungesa e kohezionit në skuadër: “Ne u penguam, sepse ndërruam strukturën themelore të skuadrës dhe futëm lojtarë të rinj.

Këta të fundit nuk i kuptojnë mirë lëvizjet, organizimin e pjesëve të ndryshme të skuadrës, por ndeshja ishte e vlefshme për t’i bërë këto vëzhgime. Ne po luajmë në një vend, që na ka pritur jashtëzakonisht mirë, me një popullsi lokale që tregoi dashuri të madhe, gjë që solli një atmosferë të caktuar, e cila nuk është justifikim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat