Prezantohet Juventus Academy, një dritare e re për fëmijët shqiptarë

Futboll

Prezantohet Juventus Academy, një dritare e re për fëmijët shqiptarë

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 15:09
Juventus Academy

Klubi legjendar italian shton edhe Shqipërinë në hartën e vet, duke nisur një bashkëpunim ambicioz në vendin tonë, me synimin për të edukuar dhe rritur fëmijët me frymën dhe metodologjinë e punës që ndiqet në Itali, në grupmoshat e klubit.

Drejtori i Juventus Academy në Shqipëri, Dritan Metaj, u prezantua duke pasur në krah manaxherin e Juventus Academy, Marco Degortes, i cili shpjegoi strategjinë e Juventusit dhe dha informacion për gazetarët e shumtë të pranishëm në konferencë.

Skuadra drejtuese e trajnerëve që do të punojnë në Akademinë e Juventusit do të trajnohen dhe aprovohen nga Juventusi, që do të dërgojë shpesh trajnerët dhe menaxherin e vet në Shqipëri, përveçse do të mbajë kontakte javore me trajnerët dhe drejtuesit e Akademisë, që ka firmosur kontratën me Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamzë, për të përdorur terrenet e atjeshme.

Degortes shpjegoi çfarë do të thotë Juventus Academy në Shqipëri: “Bëhet fjalë për një projekt për t’u dhënë mundësi fëmijëve të ushtrohen në bazë të metodologjisë së Juventusit. Juventus Academy në Tiranë nuk është i fokusuar te skauting. Nuk bëhet fjalë për teknike e taktikë, por mbi të gjitha për formimin e fëmijëve si njerëz dhe si futbollistë. Juve ka 54 akademi anembanë botës dhe gjendemi në mbi 100 kampe verore, me mbi 15.000 fëmijë të përfshirë.

Roli i Juventusit dhe dobia e akademive: “Juventusi nuk është thjesht një klub futbolli, është një familje që synon të transmetojë dashurinë për Juventusin, duke edukuar fëmijët. Javën e shkuar kemi kryer një kurs formimi me trajnerët që do marrin pjesë në Juventus Academy. Javën e ardhshme do të vijë në Tiranë një tjetër trajner i Juventusit për të vijuar me kurset, ndërsa në të ardhmen mund të vijë një trajner me kohë të plotë nga Italia. Po mendojmë për mundësinë e bashkëpunimit me universitetin e sportit në Tiranë, për të mundësuar formimin e trajnerëve”.

Çfarë ofron më shumë akademia e Juventusit, në krahasim me akademitë e tjera? “Nuk dua të bëj krahasime, sepse nuk kam pasur mundësi të shoh akademitë e tjera. Mund të garantoj që projekti Juventus bazohet në një strukturë solide formimi për fëmijët dhe trajnerët. Çdo javë trajnerët do të dërgojnë raporte mbi punën e tyre. Gjithë programet e punës që do zhvillohen gjatë vitit do bazohen te puna e Juventusit, pra rruga formuese e fëmijëve do të jetë e njëjtë me atë të fëmijëve në Itali”.

E ardhmja, a kanë shpresa të rinjtë 14-15 vjeçarë të shkojnë te Juve? “Së pari synojmë ngritjen e strukturave dhe rritjen e akademisë, ndërsa në të ardhmen, për 3-4 vjet do të kemi mundësi të flasim për afrimin e ndonjë djaloshi të ri te Juve. Për momentin është ende herët”.

Legjendat e Juves mund të zbarkojnë në Tiranë: “Po, po planifikojmë për të ardhmen evente me ish-lojtarë të njohur të Juventusit, legjenda që kanë vijuar bashkëpunimin me klubin, edhe pas përfundimit të karrierës si futbollistë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat