Selmani dhe Doka duan mbyllje dinjitoze të eliminatoreve

Futboll

Selmani dhe Doka duan mbyllje dinjitoze të eliminatoreve

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 13:18
Selmani dhe Doka duan mbyllje dinjitoze të eliminatoreve

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë, e drejtuar nga Alban Bushi, vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet e fundit eliminatore në grupin 2, kundër Spanjës dhe Estonisë. Këto ballafaqime do të luhen të enjten, më 11 tetor, ndaj Spanjës, në “Selman Stërmasi”; pastaj në Parnu të Estonisë, me përfaqësuesen vendëse. Pas tetë sfidash në grup, Shqipëria U-21 renditet në vendin e pestë me 6 pikë, falë një fitoreje, tri barazimeve dhe katër humbjeve.

Në konferencën për shtyp, ditën e sotme, kanë dalë portieri Gentian Selmani dhe mbrojtësi Albi Doka. Ky i fundit nënvizoi në fjalën e tij: “E nisim me një kundërshtar shumë të fortë, por futemi në fushë pa frikë. Tashmë potencialet e një skuadre si Spanja njihen, por ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke dhënë më shumë se maksimumin në fushë. Kërkojmë që të bëjmë një mbyllje sa më pozitive në këto eliminatore. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe me pak kujdes mund të kishim më shumë pikë tani, por jemi ndëshkuar nga gabimet tona. Sidoqoftë, kemi bërë lojën tonë dhe kemi pasur shanse. Edhe me Spanjën e Estoninë do të japim më të mirën tonë.”

Nga ana tjetër, portieri i Laçit, Gentian Selmani, për këto dy sfida shprehet: “Edhe pse jemi jashtë objektivit për kualifikim, po i vlerësojmë maksimalisht këto dy ndeshje. Jemi një skuadër që gjatë ndeshjeve në grup kemi dhuruar emocione, por në momente të ndryshme na ka munguar përqendrimi për të arritur rezultatin pozitiv. Spanja është shumë e fortë, por ne do të futemi në fushë pa këtë ndrojë. Do të japim 200 për qind të mundësive tona, pse jo, për të arritur edhe një rezultat pozitiv”.

Ndërkohë, trajneri Alban Bushi ka thirrur për këto dy sfida eliminatore zyrtare edhe Ardit Toli, që aktivizohet në radhët e skuadrës së Kissamikos në Greqi. Kjo, për shkak se Esin Hakaj i Teutës ka probleme fizike dhe nuk mund të jetë në dispozicion të skuadrës kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat