Klopp flet për situatën e shqiptarit te Liverpool

Futboll

Klopp flet për situatën e shqiptarit te Liverpool

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 10:11
Xherdan Shaqiri

Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, këmbënguli se koha do të vijë edhe për Xherdan Shaqirin, ndërsa shqiptari i kombëtares së Zvicrës pret të luajë ndeshjen e parë si startues.

Shaqiri arriti në “Anfield” nga Stoke City për 13.5 milionë paund, në korrik, por ende është duke pritur për një shans të madh. 26-vjeçari ka luajtur vetëm 32 minuta për Liverpool këtë sezon, me lojtarë si Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Roberto Firmino të padiskutueshëm në sulmin e Klopp.

Me Firmino në stol, për shkak të dëmtimit në sy, trajneri gjerman aktivizoi Daniel Sturridge në formacionin fillestar ndaj PSG-së, në Champions, para Shaqirit. Dhe Sturridge e justifikoi veten, duke shënuar në fitoren 3-2. Sidoqoftë, Klopp e vlerëson ndikimin e Shaqirit në klub dhe thotë se do ta marrë shansin e tij.

“Eshtë shumë i gjallë, shumë pozitiv, jo vetëm në punën stërvitore, por edhe si djalë në dhomën e zhveshjes, – tha Klopp. – Gjithkush e do Shaqirin kështu si është, edhe pse nuk ka luajtur shumë minuta. Ai ka bërë gjithçka për të luajtur, për të qenë i sinqertë. Kam marrë vendime të ndryshme, por koha e tij do të vijë, kjo është e sigurt.

Ne do të duhet të përdorim ata që janë në gjendje të mirë. E keni parë Daniel Sturridge, se çfarë paraqitje bëri ndaj PSG-së? Danieli nuk është i vetmi që merr shansin dhe tregon veten. Të gjithë duan të luajnë dhe do të kenë shansin e tyre. Ne duhet të krijojmë diçka, ku djemtë jo vetëm të shtyjnë nga stoli, por edhe të bëjnë punën e tyre në fushë. Do t’ua jap mundësinë, por vetëm nëse janë në gjendje të mirë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat