Jam penduar

Futboll

Jam penduar

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 11:42
Grigor Tavo

Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, pas pyetjeve të adresuara për trajnerin Mezani, me modesti dhe thjeshtësi iu përgjigj interesimit të “Panorama Sport”. Bosi i gjirokastritë si fillim pranoi se kishte dështuar me afrimin e trajnerit Millosh Kostiç.

“Afrimi i Kostiçit? Po, natyrisht që jam penduar. Por, unë nuk jam nga ata lloj presidentësh që i shkarkoj trajnerët me telefon.  Para se të prezantonim trajnerin e ri, ish-trajneri Millosh Kostiç së bashku me mua dhe trajnerin e ri biseduam dhe ai i dha udhëzimet e duhura Mezanit. E them dhe një herë, e pranojmë dështimin, por unë besoj shumë te trajneri i ri”, është shprehur Tavo.

Po sa përgjegjësi kanë lojtarët në situatën e krijuar te Luftëtari?Vetë presidenti ka mendimin e tij. “Unë nuk dua të merrem me të shkuarën. Për mua nuk ka asgjë të parealizueshme, ndaj duke filluar që nesër (të shtunën) do të bëjmë kthesën e madhe. Çdo gjë është e realizueshme dhe unë kam besim te trajneri Mezani. E kam pasur në mendje këtë trajner që sezonin e kaluar, ndaj nuk hezituam në zgjedhjen e tij”, zbuloi presidenti i Luftëtarit që më pas foli edhe për tifozët. “Ata meritojnë respekt. Tifozët kanë të drejtë. Më kujtohet numri i 5500 tifozëve në ndeshjen me Partizanin dhe kjo më bën t’u jap të drejtë atyre. Luftëtari do të rikthehet dhe ata do të na mbështetin gjithmonë”, ka mbyllur “bosi” i gjirokastritëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat