Ejupi: Josa ka kontratë trevjeçare me Prishtinën

Futboll

Ejupi: Josa ka kontratë trevjeçare me Prishtinën

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 15:00
Ejupi: Josa ka kontratë tre vjeçare me Prishtinën

Kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi, ka reaguar menjëherë sa ka parë shkrimet e të ashtuquajturave portale rreth bisedave për trajner të ri të Prishtinës.

“Nuk e njoh dhe as që jam takuar me personin në fjalë që paskan aluduar portalet, Gentian Mezanin. Në fakt, tash pse unë njoh shumë njerëz të sportit dhe jam i rrethuar me ta nuk ka asnjë domethënie. Takohem me shumë kë me të cilët kam miqësi, por edhe me të tjerë që mund të jenë afër tyre dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Ne kemi kryetrajner, ai është Mirel Josa me të cilin kemi kontratë trevjeçare.

Prishtina nuk është klub lagjesh që t’i ndërroj trajnerët çdo tre-katër javë apo për qefin e dikujt. Me Josen kemi projekt. Josa nuk ka ardhur të dëshmohet në Prishtinë. Ai është dëshmuar shumë më herët para nesh. Ai ka dëshmuar me sukseset në Shqipëri e sidomos me paraqitjet në Evropë. Ai ka ardhur që krejt atë bagazh të përvojës së tij të sjellë tek ne”, ka thënë Ejupi.

“Po ashtu i mirëkuptojmë brengat dhe njëkohësisht dëshirat e adhuruesve tanë e veçmas ‘Plisave’ për fitore me të cilët jemi në një rrugë dhe e duam suksesin së bashku, por Ju lusim të na mirëkuptoni dhe të na besoni, të keni pak durim, sepse gjithçka do të vije në vendin e vetë, sepse jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë. Josa ka kontratë tre vjeçare me ne, sikurse ne që i besojmë, duam që edhe Ju të e mbështesni atë dhe klubin maksimalisht. Vetëm të bashkuar do t’ia dalim”, ka bërë apel kryetari Ejupi.

“Këto shkrime i shoh si sulme për të na dekoncentruar para ndeshjes së nesërme me Gjilanin. Por nuk do t’ia arrijnë asnjë prej këtyre portaleve nga Kosova apo Shqipëria. Nuk do të bëjmë gabime të tilla siç ndoshta kemi vepruar viteve të fundit. Ftojmë që mos t’iu besoni thashethemeve dashakëqija e të qëllimshme, sidomos të disa të ashtuquajturave portale nga Kosova”, ka përfunduar në reagimin e tij, Ejupi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat