A të kujtohet Agim kur ju keni ikur me shokë nëpër ara!

Futboll

A të kujtohet Agim kur ju keni ikur me shokë nëpër ara!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 18 shtator 2018 Në ora: 12:58
Agim Ademi

Debate

Është neveritëse dhe e pafalshme që edhe pas 19 viteve pas luftës klubet nga Serbia futen në territorin e Kosovës dhe zhvillojnë gara ilegale. Është e gërditshme që pas 10 viteve në shtetin e Kosovës, i njohur ndërkombëtarisht, në territorin e saj klubet nga Serbia vijnë e luajnë në Zubin Potok, në Zveçan, në Leshak, në Leposaviq me klubet serbe të Kosovës, që nuk i njohin institucionet tona.

Asgjë nuk është e re për ne sepse janë plot 19 vite klubet serbe që hyjnë e dalin pa u penguar nga askush! Rasti i fundit është Slloboda nga Uzhica që luajti për Kupën e Serbisë kundër Mokra Gorës në Zubin Potok. Slloboda është klub që njihet si filial i Cërvena Zvezdës së Beogradit. Pas Sllobodës vjen Slloga nga Pozhega dhe luan me Mokra Gorën, në kuadër të Ligës së Tretë të Serbisë, grupi i Perëndimit. Një është e qartë: Federata e Futbollit e Kosovës është e pranuar me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.

Është e paqartë fuqia e FFK-së se sa mund të ndikojë në parandalimin e këtyre aktiviteteve ilegale serbe në Kosovë. Është e paqartë se sa ka fuqi FFK-ja nëse ankohet në UEFA për t’i ndalë garat e klubeve nga Serbia që futen në territorin e një shtetit tjetër dhe zhvillojnë garat ilegale. A është ankuar ndonjëherë FFK në instancat më të larta të UEFA-s apo a ka kërkuar ndonjëherë nga shteti i Kosovës, ministria e punëve të brendshme dhe nga Qeveria e Kosovës, t’i ndalojnë këto gara ilegale. President i Federatës së Futbollit të Kosovës është Agim Ademi. Është njeriu që dha shumë për futbollin tonë, rrezikoi jetën e tij në kohën e okupimit, i rezistoi regjimit serb. Agim Ademi ka qenë pjesë e futbollit të Kosovës, në kohën kur shumëkujt nuk ia ka mbajtur prapanica të jetë pjesë e garave të Republikës së Kosovës, kur u përndoqën, arrestoheshin e burgoseshin nga milicia çetnike serbe.

Agim Ademi me shokë pavarësisht rreziqeve nga bandat serbiane nuk mundë e ndalën nga aktivitetet e garave të Republikës së Kosovës në vitin 1991-99.  Agim Ademi me shumë shokë i ka përjetuar presionet, torturat nga regjimi kriminal serb. E di fortë mirë se sa herë janë rrezikuar me jetë kur zhvillonin aktivitetet nëpër fusha të improvizuara, herë në Dumincë, herë në Llukar, herë në Dushanovë, herë në Varosh, herë në Malishevë, herë në Hogosht, herë në Miradi të epërme, herë në Zllakuçan, herë në Sadovinë dhe sa e sa postblloqe të milicisë serbe i ka kaluar me shokë. Agim Ademi apo i pari i FFK-së, e di fortë mirë se sa herë janë përndjekur, e arrestuar mbase edhe rrahur zyrtarët e klubeve tona, futbollistët dhe vetë zyrtarë e FFK-së së asaj kohe. Agim Ademi, e di fortë mirë me shokët e asaj kohe që e mbanin futbollin e Kosovës, sa e sa herë kenë ikur nëpër ara e ndokush është fshehur nëpër thera e pas lisave, nga terrorit serb.  Nuk po them që keni ikur Ju, por shumë e shumë të tjerë kanë ikur nga terrori serb. Sot Agim Ademi, si president i FFK-së, po e presin fjalën apo reagimin tuaj karshi garave ilegale të klubeve nga Serbia në territorin tonë.

Ju Agim Ademi, jeni kryetar për të gjitha klubet që funksionojnë brenda territorit të Kosovës. KF Mokra Gora nga Zubin Potoku, klub ilegal, Trepça fantome e shumë klube tjera ilegale, o duhet të kthehen nën komandën institucioneve të Kosovës o duhet t’i ndërprejmë aktivitetet e tyre. Është e neveritshme se si ato veprojnë dhe luajnë në kuadër të Serbisë.  Mokra Gora e Zubin Potoku është pjesë e Kosovës dhe duhet të luajë në ligën tonë. Agim Ademi, ju presim si president që së bashku me federata tjera sportive ta bëni hapin e madh, në ndalimin e garave ilegale. Bile Komiteti Olimpik i Kosovës në krye me Besim Hasanin është zotur se do t’ju qëndrojë pas deri në pikën e fundit. Ditë më parë edhe ministri i sportit Kujtim Gashi ka reaguar ashpër në lidhje me transmetimin e Ligës së Kampionëve nga TV Serbia në Kosovë.  

Agim, ju nuk u frikësuat në kohën kur Serbia përdorte tërë makinerinë vrastare mbi popullatën shqiptare dhe nuk mundë iu ndali as juve në aktivitetet kombëtare dhe sportive, sot nuk e besoj se frikësoheni nga ndokush, presim si president ta tregosh fuqinë ndaj klubeve ilegale serbe! Nuk e besoj Agim që frikësohesh, kur dihet puna e juaj kombëtare në ditët më kritike të Kosovës. Agim, reago!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat