Ekipi futbollistik “Shqiponja” në finale për Kupën e qytetit të Auckland-it në Zelandën e Re, fitoi me rezultat bindës 2:0. Shqiponjat gjatë gjithë ndeshjes dominuan, por vetëm në pjesën e dytë arritën te avancojnë nga penalltia pas ndërhyrjes së palejueshme të portierit kundërshtar.
Pas golit të avantazhit ekipi i West Wanderers u përpoq me të gjitha forcat për ta barazuar rezultatin, por ndërhyrjet e mbrojtësve e portierit të shqiponjave ditën ta mbrojnë të paprekur rrjetin e portës së tyre. Në minutat e fundit me një aksion të koordinuar mirë shqiponjat shënuan për herë të dytë.
Në fund të ndeshjes në praninë e shikuesve dhe organizatorëve kapitenit të ekipit “Shqiponja”, Erzen Zekës ju dorëzua kupa. Për angazhimin në lojë, përgjegjësinë ndaj emrit të ekipit, disiplinës e fitores së merituar shqiponjat u duartrokitën e përgëzuan nga simpatizantët shqiptarë dhe të pranishmit tjerë të ardhur nga gjitha anët e qytetit. Organizatorët për lojtar më të mirë të kësaj finale shpallën Rrezon Cakin.