Osmani: Fitoret me përmbysje tregojnë karakterin e ekipit

Futboll

Osmani: Fitoret me përmbysje tregojnë karakterin e ekipit

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 11:23
Osmani: Fitoret me përmbysje tregojnë karakterin e ekipit

Shefi i stafit teknik Qatip Osmani ka përgëzuar futbollistët për fitoren bindëse 6:2 përballë Rabotniçkit në xhiron e pestë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë.

“Sigurisht se jam i kënaqur me rezultatin dhe lojën e treguar edhe pse patëm në lojë vështirësi ndoshta pak nga respekti i tepërt ndaj Rabotniçkit. Mirëpo shpejt morrëm veten dhe dua të uroj futbollistët për performansën”, deklaroi trajneri Osmani, duke potencuar karakterin e futbollistëve pasi hera e tretë me radhë në kampionat ekipi arrin të fitojë me përmbysje, pasi paraprakisht kundërshtari avancon 1:0.

“Shkëndija ka treguar karakter  që i nevojitet një skuadre për rezultate pozitive. Ne gjatë kohë insistojmë në lojë të shpejtë, me kombinime dhe shumë pasime. Jemi të vetëdijshëm se nuk mundet 90-të minuta të luajmë në atë tempo, por insistojmë dhe më gëzon fakti se arrijmë të krijojmë shumë shanse në periudha të caktuara të lojës”.

Një triumf 6:2 ndaj një skuadre që vinte në Tetovë si lider pak kënd do të linte të nxjerrë kritika, por trajneri Osmani beson se ekipi ka hapsirë për përmirësim.

“Gjithmonë ka vend për përmirësime në futboll. Do të kisha potencuar mënyrën si hapim ndeshjen, na ka ndodhur shpesh kur nuk startojmë si duhet. Pranojmë gol dhe më pas reagojmë. Më pëlqen karakteri që tregon skuadra, por do të insistojmë mos lejojmë të pranojmë gol të parët në të ardhmen”, përfundoi Qatip Osmani, që tashmë kërkon skuadra të kthejë vëmendjen ka sfida e parë e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë të mërkurën në Tetovë kundër Kit-Go nga Pehçeva.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat