Lushtaku: Kemi probleme me sulmin

Futboll

Lushtaku: Kemi probleme me sulmin

Nga: Kemajl Goca Më: 14 shtator 2018 Në ora: 18:56
Lushtaku: Kemi probleme me sulmin

Drenica nga Skenderaj pretendon të jetë më lartë se në pjesën e epërme të tabelës dhe të luftojnë edhe për trofeun e Kupës së Kosovës. Skuadra nga Skenderaj, në katër ndeshjet e para ka një fitore, dy barazime e një humbje, duke u renditur në pozitën e gjashtë me 5 pikë të mbledhura. Kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, është i kënaqur me mbrojtjen dhe mesfushën por e brengos mungesa e efikasitetit në sulm.

“Thënë të drejtën, duke e pasur parasysh orarin çfarë e kemi pasur, po ashtu edhe kohën që pauzuam, mendoj se duhet të jemi të kënaqur dhe me pak fat do të kishim edhe plus katër pikë. Ky është futbolli dhe këto janë befasitë. Prapëseprapë jam i kënaqur me angazhimin, punën dhe disiplinën e futbollistëve. Nuk jam i kënaqur te finalizimi i rasteve dhe shënimi i golave, por në këtë repart duhet të mendojmë që të punojmë gjatë javës dhe në vazhdim të javës së ardhshme, që të përmirësohemi”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Lushtaku. Ai përmend edhe ndeshjen me Gjilanin në Skenderaj e cila kishte përfunduar me rezultat 0:0 dhe humbën shumë raste.  “I kthehemi ndeshjes me Gjilanin, ku kemi humbur 4-5 raste dhe së paku dy dola u dashtë mu shënuar pa menduar e pa u hamendur fare.

Megjithatë kemi probleme me sulmin, me sulmuesin Armend Abazin, i cili është i përgatitur jashtëzakonisht mirë, vrapon shumë, por i mungon konkretizimi i rasteve. U panë edhe ndeshjet tjera edhe kundër Gjilanit që mungoi finalizimi i rasteve. Gjithmonë jam bazuar në ekip, kam pasur biseda me gjithë futbollistët, nuk dua mu bazuar veç të sulmuesit, por në grup të lojtarëve. Tek unë nuk çon peshë a jep gola sulmuesi, mesfushori a mbrojtësi”, tha Lushtaku. Kryetrajneri drenicas flet edhe për sulmuesin Isa Eminhaziri që ende nuk e ka gjetur formën e duhur: “Në katër ndeshjet e para mungon efikasiteti. Isa Eminhaziri nuk po mundet me gjet veten, mu përshtat, ndoshta është problemi kryesor të ai. Kampionati është i gjatë dhe besoj se do të gjen veten”.

Në fundjavë (të dielën) Drenica do të luajë në ‘Riza Lushta’ kundër ‘Trepçës ’89. “Nuk e kemi ndërmend të shkojmë të mbrohemi në Mitrovicë, do të bazohem në lojën tonë kolektive, nuk mendojmë për rezultat, por e gjitha do të varet krejt se si do të zhvillohet ndeshja, mbetet të shihet epilogu në fund. Shkojmë për rezultat pozitiv. Jemi në situatë jashtëzakonisht të mirë, gjendja e disa lojtareve është shumë e mirë dhe po tregojnë lojë angazhuese e kolektive sidomos u pa me Feronikelin dhe Gjilanin, por na mungoi fati. Ekipi po funksionon mirë, mbrojtja dhe mesfusha janë në nivelin më të lartë, kemi problem të sulmi, edhe ai problem do të evitohet. Nga ndeshja me Trepçën ‘89 do të kemi ndryshime në formacion dhe pres lojë më angazhuese, të paktën t’i finalizojmë rastet”, theksoi Lushtaku.

Sipas tij, nuk kanë synime të mëdha: “Nuk kemi ndonjë synim të madh, por mos të jemi ndër mesin e tabelës, të paktën mbi 6 pozitat e para. Synimi është të zhvillojmë lojëra të mira, mos të kemi problem mbetjen në ligë ose barazhin,  të cilat nuk janë në mendjen tonë. Futbollit nuk i dihet, por duhet të jemi më të interesuar në aspektin sportiv, për t’i realizuar synimet dhe do të luftojmë më shumë për Kupë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat