Shosholli flet për ligën e pavarur dhe si u kërcënua rëndë nga sigurimi shtetëror serb!

Futboll

Shosholli flet për ligën e pavarur dhe si u kërcënua rëndë nga sigurimi shtetëror serb!

Nga: Kemajl Goca Më: 13 shtator 2018 Në ora: 15:04
Ajet Shosholli

Gjithçka ndryshoi para 27 viteve pikërisht në vitin 1991! Shqiptarët në të gjitha sferat i thanë jo Serbisë.  Edhe sporti ndau rrugët me garat serbosllave. Vitet e vështira, të sakrificës, të rrezikut të madh por edhe të krenarisë. Nisë rrugëtimi i Ligës së pavarur të Republikës së Kosovës në të gjitha sportet.  Ajet Shosholli sikurse sot i kujtohet viti 1991, sidomos data e 15 gushtit kur u kërcënua rëndë dhe u quajt irredentist nga pushteti i atëhershëm i kuvendit Komunal të Prishtinës, që kishte atëkohë për kryetar Zhika Mitroviqin.

As kërcënimet dhe asgjë tjetër nuk i ndali Shoshollin me shumë veprimtarë tjerë, por nisën misionin e ri,  Ligën e Pavarur dhe i thanë jo garimit me klubet e Serbisë.  “Qëllimi i krejt kësaj ishte, që edhe sporti edhe  futbolli të solidarizohet me popullin, kur dihet represioni i Serbisë ndaj popullatës shqiptare. Edhe sporti edhe futbolli, iu kemi bashkangjitur kërkesave të popullit”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shosholli. Ndryshe Shosholli atëkohë ishte kryetrajner i Prishtinës dhe më pas u emërua selektori i parë i kombëtares së Kosovës nga Federata e Futbollit të Pavarur të Kosovës, me kryetar Agim Bytyçi. “Futbolli është i pari që nisi garat e pavarura, me pas formohet sindikata e sportit.

Pa eksponim dhe subjektivizëm, Prishtina ishte klubi i vetëm që garonte në garat ish federative të rangut më të lartë, në Ligën e Dytë Unike. Jo vetëm në futboll por në të gjitha sportet, ishte i vetmi klub profesional në Kosovë. Mirëpo, pa marr parasysh këtë, duhet ta theksoj sindikatën e pavarur në afat ka lejuar që t’i vazhdojmë garat sepse të gjithë ne kemi jetuar me futbollin. Ne kemi braktisur garat ish jugosllave dhe thënë të drejtën, Prishtina atëherë ka qenë si një kombëtare jo vetëm në Kosovë por në diasporë, sinonim i gjithë shqiptarëve”, tregon Shosholli.  Më tutje tregon se i lanë të gjitha të mirat që i kishin dhe vazhduan rrugën në Kampionatin e pavarur të Kosovës. “Pa marr parasysh ato të mirat, i kemi thënë jo garave me klubet ish jugosllave. Ajo ka qenë me 15 gusht të vitit 1991. 

Ka qenë më së pari dorëheqja ime dhe ndihmësit Shefqet Sinani”, theksoi ai. Shosholli kujton edhe mbledhjen në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kur serbët kishin marrë vendime të çuditshme dhe të turpshme. “ Ne mbledhjen e KK Prishtinës, të cilët e ka udhëhequr Zhika Mitroviqi, kryetari aktual i atëhershëm, aty ka qenë prezent i gjithë pushteti politikë i kuvendit komunal të Prishtinës, prezent ishte edhe Mishko Lakoviqi, drejtor i sigurimit shtetëror të regjionit të Prishtinës, pastaj Mishko Iliq, sekretar i  Lidhjes së Futbollit të Kosovës dhe Metohijes, siç e quani serbët. Në atë mbledhje u emërua kryesia e re me 13 anëtarë, me kryetar Bogulub Kostiq, i cili edhe përpara ka qenë kryetar,  pra në vitet e 70-ta. 

Image

Paraprakisht kishim luajtur ndeshjen në Shkup dhe e fituam me 2:1 kundër Ballkan Stokokomercit, pastaj nuk udhëtuam në Prijedor të luajmë me Rudarin. Të enjten me 15 gusht të vitit 1991, kishim mbledhje para ndeshjes së javës së tretë në Prishtinë (e diel me 18 gusht 1991) kundër Mogrenit. Në kryesi asnjë shqiptar, të gjithë serbët dhe vetëm dy turq. Unë së bashku me Shefqetin dhe futbollistët kishte nëntë muaj pa rroga, po ashtu ka pas shumë me kontrata 50-60 mijë marka dhe disa prej tyre, ndër ta edhe unë, me banesa në pronësinë tonë nga klubi. Ajo kryesi ka premtuar se të gjitha do t’i kryente, pra çështjen financiare për dy ditë dhe obligimet për banesat në afat 15-20 ditë.

Mirëpo, kur unë e kam pa se në kryesi asnjë shqiptar,  kam dhënë dorëheqje të parevokueshme para pushtetarëve të politikës së asaj kohe në krye me Zhika Mitroviqin. Ju kam thënë se prej sot nuk jam Shef i Shtabit teknik, normalisht e konsultova edhe Shefqet Sinanin dhe pranoi edhe ai. Në at moment Perlinçeviq e ka rrotullar tavolinën me dy duart e tij, pas asaj që deklarova që nuk jam shef shtabi. Perlinçeviq mu ka drejtuar mua:  Ky njeri e tregoj edhe iu kam thënë edhe përpara se në KF Prishtina mbretëron irredentizmi.  Pastaj e ka urdhëruar sekretarin Karapanxhiq me shkuar zyre dhe me marrë vulën e klubit, me lajmëruar Beogradin që të dielën (me 18 gusht) nuk luhet ndeshja me Mogrenin.

Image

Pas tij reagoi Mishko Lakoviq, me fjalë shumë të rënda: “Kush k... je ti që na shet neve politikë”. Të njëjtën gjë e ka përsërit edhe Mishko Iliq. Unë iu thash: Është e drejtë e imja dhe mbledhja është ndërpre. Me kujtohet në korridor duke dalë, Dimitrivijeviqi që ka qenë refer i Ligës së Parë Federative të asaj kohe, me tha: “Ajet, po e kuptoj se kjo nuk është futboll por politikë”. Pastaj të nesërmen të gjithë futbollistët shqiptarë kanë dhënë dorëheqje nga KF Prishtina, duke filluar nga Eroll Salihu, Arbnor Morina, Adil Vokrri, Fadil Berisha, Avni Stublla, Kushtrim Munishi, Ahmet Beselica, që të gjithë, përveç njëri nga shqiptarët mbeti aty. Dhe te gjithë e kanë pritur KF Prishtinën se si do të vepron dhe pas veprimit të Prishtinës, braktisjes së Ligës së Dytë jugosllave, menjëherë janë bashkëngjitur klubet tjera.

Sepse e kishin pritur Prishtinën se si po vepron, duke filluar nga Trepça, Liria, Vëllaznimi etj.  Dhe i vetmi klub që vazhdojë garat në ligën serbe ishte Rudari nga Stan Tërgu. Pas kësaj, është formuar kryesia Federatës së Futbollit të Kosovës, ku ka qenë kryetar i parë i saj Agim Bytyçi, me nënkryetarët Gafurr Kabashi dhe Hamdi Tovërlani. Është formuar kryesia dhe janë organizuar garat në kompetencën e FFK-në në krye me Bytyçin dhe bashkëpunëtorët e tij. Pastaj është formuar Liga e pavarur e Kosovës prej 20 klubeve, pastaj Juniku u tërhoq për shkak të kushteve, kemi vazhduar me 19 klube.

Kryesia e federatës në krye me Agim Bytyçin kanë caktuar që gara me filluar gjatë vikendit, e shtunë dhe e diel, me 14-15 shtator, mirëpo, si premier të kësaj lige është caktuar me 13 shtator, domethënë fillimi i kampionatit pikërisht në ndeshjen Prishtina - Flamurtari. Kjo ka qenë një taktikë e federatës, pasi që ishte ditë e premte dhe mos mi ra në sy regjimit serb që me ndërhyrë. Pastaj të shtunën dhe të dielën janë luajtur të gjitha ndeshjet tjera, ku mund të shihen ato në faqen e gazetës ‘Bujku’ të asaj kohe. Ky ka qenë fillimi i mbarë i ligës së parë të pavarur”, kujton atëkohë trajneri i mirënjohur Shosholli.  Sa ishte vështirë që nga rangu më i lartë federativ, nga stadiumet të luani në fusha të improvizuara, në livadhe?

“Thënë të drejtën futbollistët e Prishtinës dhe ne si Shtab Teknik ishim profesionistë dhe jetonim prej të ardhurave të futbollit.  Mirëpo nuk kemi menduar fare në ato të mirat, të gjitha ato i kemi shqelmuar dhe ju bashkangjitem një misioni, me qëllim që të jetësohet Republika e Kosovës.

Mendoj, atëkohë posaçërisht arsimi ju ka kundërvënë ndër të parët regjimit serb. Mendoj se pa i zhvleftësuar të tjerët, arsimi dhe sporti ishin dy shtyllat kryesore që e kanë jetësuar në praktikë Republikën e Kosovës, natyrisht, pastaj janë edhe të gjitha federatat tjera sportive, nga basketbolli, hendbolli, volejbolli, e kështu më radhë. Sigurisht futbolli ka qenë i pari që ka nisur me garat e pavarura sportive”, thotë Shosholli.

Ndeshja e parë në pavarësim

Flamurtari i Prishtinës dhe Prishtina, hapen perden e Kampionatit të pavarur të futbollit të Kosovës nga ai serbosllav.  Flamurtari kishte shënuar fitore me rezultat 3:2 në ndeshjen e parë, të luajtur me 13 shtator të vitit 1991. Shënuesi i parë është Eroll Salihu i KF Prishtinës, kur realizoi në minutën e 17-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat