Më kujtohet shumë mirë telefonata për presidentin Vokrri

Futboll

Më kujtohet shumë mirë telefonata për presidentin Vokrri

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 14:07
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm, ka pritur sot në zyren e tij sekretarin gjeneral të UEFA-s, Theodore Theodoridis së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Thierry Favre dhe Denis Bastar

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm, ka pritur sot në zyren e tij sekretarin gjeneral të UEFA-s, Theodore Theodoridis së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Thierry Favre dhe Denis Bastari. Ademi e ka falënderuar Theodoridis për përkrahjen e vazhdueshme që ai personalisht, por edhe zyrtarët e tjerë të UEFA-s që i kanë dhënë FFK-së.
“Më kujtohet shumë mirë telefonata juaj për presidentin Vokrri, një ditë para pranimit dhe ka qenë normalisht një bisedë shumë e rëndësishme. Edhe ish-presidenti Vokrri ka pasur një respekt të madh për ju dhe të njëjtin respekt e keni nga të gjithë ne që jemi pjesë e futbollit të Kosovës dhe do të jemi falënderues gjithmonë për mbështetjen dhe këshillat që na i keni dhënë. E ndjej veten shumë mirë që të gjithë ne kemi qenë bashkëpunëtorë të tij për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojmë ta mbajmë miqësinë dhe korrektësinë që ai ka pasur me UEFA-n. Federata jonë ka filluar ta rimarrë veten pas vdekjes së ish-presidentit Vokrri dhe kemi filluar me projektet rreth ndërtimit të stadiumeve me përkrahjen e UEFA-s e FIFA-s. Po ashtu shumë shpejt do të nisim edhe me Kompleksin Sportiv të Kombëtares në Obiliq.

Do të vazhdojmë edhe me renovimin e selisë së FFK-së, derisa krahas përmirësimit të infrastrukturës jemi duke punuar në zhvillimin dhe ngritjen e nivelit në ligat tona, duke përfshirë edhe futbollin e femrave”, ka theksuar ndër të tjera Ademi. Ndërkaq, sekretari gjeneral i UEFA-s, është shprehur i lumtur që gjendet sërish në Kosovë dhe që tani FFK është anëtare e UEFA-s, pasi herën e parë kishte qenë para pranimit.

“Jam i lumtur që jam në këtu në selinë e FFK-së, pasi herën e parë kur kam qenë keni pasur vetëm dy zyre të vogla dhe më vjen mirë që tani keni hapësira shumë më të mëdha dhe kushte më të mira për punë. Jam po ashtu i lumtur që nga vizita ime e parë këtu kanë ndryshuar shumë gjëra për të mirë, pasi jeni pranuar në UEFA e FIFA dhe keni zhvilluar edhe shumë ndeshje si me kombëtaren tuaj, ashtu edhe me ekipet në garat evropiane. Më vjen mirë që sonte do të jem në stadiumin e rinovuar ‘Fadil Vokrri’ për ta ndjekur ndeshjen Kosova – Ishujt Faroe dhe pa dyshim se kjo është një gjë shumë e mirë që tani ju ndeshjet do t’i luani në shtëpinë tuaj. Ne e kemi për obligim të ndihmojmë federatat anëtare dhe do ta vazhdojmë përkrahjen për ju”, ka theksuar sekretari gjeneral i UEFA-s, Theodore Theodoridis. Në fund, Ademi i ka dhuruar mysafirëve nga një plaketë dhe nga një fanellë të Kombëtares së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat