S’ka më lojëra fjalësh, jam akoma më i miri…

Futboll

S’ka më lojëra fjalësh, jam akoma më i miri…

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 18:01
Jose Mourinho

Jose Mourinho ka deklaruar sot se ai është një nga trajnerët më të mëdhenj të historisë së futbollit, më i miri në qarkullim. Trajneri i Manchester United do të drejtojë ekipin e tij kundër Burnley, ditën e diel, ku fitorja është alternativa e vetme, pas humbjeve radhazi kundër Brighton dhe Tottenham, që i kanë lëkundur pozitat e tij në “Old Trafford”. Ai është sjellë si një filozof në konferencën e fundit për shtyp.

“Unë jam trajneri i një nga klubeve më të mëdha të botës, por gjithashtu jam një nga trajnerët më të mëdhenj në botë, – tha Mourinho. – E keni lexuar ndonjëherë Hegel? Ai thotë se e vërteta është gjithmonë në tërësinë e gjërave. Keni menduar ndonjëherë se Mauricio Pochettino, që u rendit vjet i treti dhe Jurgen Klopp, që doli i katërti, meritojnë më shumë kritika? Ndoshta ju nuk doni të pranoni se vendi i dytë i kampionatit të kaluar ishte një sukses për Manchester United.”

Më pas, Mourinho shtoi: “Unë e analizoj gjithmonë punën dhe paraqitjen time. E përsëris që dy vite më parë patëm një sezon shumë të mirë që fituam Europa League. Jemi skuadra e fundit angleze që ka fituar në Europë. Unë kam fituar tetë tituj. Mendoj se jam akoma më i miri, sepse tërësia e Hegel më jep të drejtë. Jam trajneri i vetëm që kam fituar në Itali, Spanjë dhe Angli, që faktikisht janë kampionatet më të mëdha në botë. Si mendoni, a bëj mirë që kam konsideratë për veten? Nuk dua të përdor lojëra fjalësh kur shpreh mendimin se jam një nga trajnerët më të mirë në futboll".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat