Gruaja e Sorrentinos i kritikon lojtarët e Juves që interesoheshin për golin, teksa portieri qëndronte i shtrirë pa vetëdije

Futboll

Gruaja e Sorrentinos i kritikon lojtarët e Juves që interesoheshin për golin, teksa portieri qëndronte i shtrirë pa vetëdije

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 23:29
Teksa Sorrentino qëndronte pa vetëdije, futbollistët e Juventusit po diskutonin për golin(Foto: Getty Images)

Stefano Sorrentino duket se ia ka falur Cristiano Ronaldos dhe Juventusit lëndimin, mirëpo i të njëjtit mendim nuk është partnerja e portierit të Chievos.

39-vjeçari pësoi një goditje gjatë një përplasjeje me superyllin portugez në ndeshjen e të shtunës në Stadio Bentegodi, të cilën Bianconerët e fituan me rezultat 3-2.

Gjatë kohës kur ai po qëndronte i shtrirë Zonjës së Vjetër iu dha një gol përmes teknologjisë për kalimin e vijës fundore, mirëpo disa minuta më pas, goli u anulua përmes teknologjisë VAR, pasi CR7 e kishte prekur topin me dorë në momentin e asistimit drejt Mario Mandzukicit.

Nga ajo përplasje, Sorrentino e ka thyer hundën, ka pësuar lëndim në pjesën e pasme të kokës dhe e ka ndrydhur shpatullën – ashtu që ka qëndruar në spital deri në mëngjesin e sotëm (e diel).

Vet futbollisti është munduar të gjejë anën komike të gjithë asaj që ndodhi, mirëpo partnerja e tij, Sara Ruggeri, nuk ua ka falur bardhezinjve.

“Jam munduar me orë të tëra të jem e qetë dhe të përqendrohem te ajo që është e rëndësishme, me fjalë tjera te familja ime”.

“Megjithatë, nëse kampionët duan të quhen kampionë, ata duhet që fillimisht të jenë qenie njerëzore! Më vjen keq, por unë nuk mund ta admiroj këtë kampion!”.

“Mund t’i admiroj njerëzit e vërtetë, si gjysma ime tjetër që qëndronte shtrirë pa vetëdije, ndërsa Tomovic bënte gjithçka që mundje për t’i ndihmuar!”.

“Faleminderit, atyre që kanë zemër, humanizëm, dinjitet dhe parime! Turp për ata që ofendojnë, kritikojnë, festojnë ose edhe më keq, shikojnë dhe pastaj largohen!”, ka shkruar ajo në Twitter.

Paulo Dybala tashmë ka kërkuar falje përmes rrjeteve sociale, pasi ishte kritikuar së bashku me Giorgio Chiellinin se po e festonin golin (që u anulua), teksa Sorrentino qëndronte shtrirë pa vetëdije.

Ronaldo fillimisht u afrua për të parë se çfarë po ndodhte, ndërsa më pas u largua për t’i lënë vend ekipit mjekësor që ta kryejë punën e vet.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat