Kabashi: Flamurtari funksionon ndryshe

Futboll

Kabashi: Flamurtari funksionon ndryshe

Nga: Kemajl Goca Më: 15 gusht 2018 Në ora: 16:16
Kabashi me fanellë kuqezi

Të shtunën edhe zyrtarisht hapet perdja e edicionit të ri të elitës së futbollit të Kosovës, kurse të dielën e 18 gushtit, Flamurtarit i Prishtinës e pret Ferizajn!   ‘Flamurtarët’ këmbëngulin se do janë më të fortë se në kampionatin paraprak dhe kërkojnë mesin e tabelës në Superligë. Kapiteni i skuadrës së Flamurtarit, Veton Kabashi, tha se janë përgatitur mjaft mirë dhe me qetësi e presin edhe ballafaqimin e javës së parë. “Përgatitjet shkojnë shumë mirë, mendoj që deri tani jemi përgatitur mirë.

Atmosfera në Flamurtar nuk mungon kurrë, çka do të thotë qëndron mirë si gjithmonë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Kabashi. Prej mbrojtësve më të mirë në vendin tonë, shprehet se skuadra e tij funksionon më ndryshe: “Mendoj që Flamurtari këtë sezon do të jetë ekip stabile, duke mos kujtuar sezonin e kaluar. Kështu që ka shumë faktorë që Flamurtari këtë sezon funksionon ndryshe”. A është gati për edicionin e ri, për sfidën me Ferizajn?

“Po, jemi gati dhe ka rëndësi që fillimi të jetë i mbarë”, përgjigjet ai.  Si shumë skuadra që kërkojnë të jenë sa më lartë në klasifikim, këtë pikësynim e ka edhe Flamurtari. “Flamurtari futet për mesin e tabelës, ndërsa çka vjen më shumë është e mirëseardhur”, ka thënë mbrojtësi. Edicioni i kaluar ka qenë interesant, kur dihet se deri në javën e fundit nuk dihej se cila skuadër do të stolisej me titullin e kampionit, po ashtu dramë ka qenë edhe sa i përket skuadrave të pjesës së poshtme në tabelë. Edicioni i ri pritet të jetë edhe më atraktiv se sa ai i kaluari, kështu mendon edhe Kabashi: “Mendoj që rivaliteti dhe cilësia është çdo herë në rritje.

Sa i përket Flamurtarit nuk ka diçka konkrete që na mungon, por të shohim në vazhdimësi”. Kuqezinjtë kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore, por sa jeni i kënaqur me formën në përgjithësi të ekipit? “Miqësoret janë qëllim i komponimit të ekipit që qëndron mjaft mirë këtë sezon dhe besoj të na ecë mbarë”, shpreh optimizmin Kabashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat