Mbrëmja e 13 gushtit e vitit 2018, gjithmonë do të mbetet në kujtesën e sulmuesit të Dritës nga Gjilani, Betim Haxhimusa. Në një atmosferë drithëruese në stadiumin e përuruar “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Haxhimusa me mjeshtrin e tij përcaktoi fituesin e Superkupës së Kosovës. Drita, kampion në fuqi, e mposhti me rezultat 2:1 fituesin e Kupës, Prishtinën. Mbi 10 mijë shikues të tubuar në stadium, panë lojë të bukur, me veprime të shpejta dhe nuk dihej fituesi deri në sekondat e fundit.
Futbollisti Haxhimusa tha se ka qenë një ndeshje e vështirë përballë Prishtinës, por në anën tjetër do ta mbajë mend një kohë të gjatë, jo që vendosi goli i tij në minutën e 82-të, por atmosfera madhështore që u krijua në stadium. Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Haxhimusa tha se janë të përgatitur edhe për edicionin e ri, por e ndjejnë paksa edhe lodhjen nga ngarkesa në ndeshjet e garave evropiane, në kualifikimet për Champions League, pastaj në Europa League.
“Bota sot”: A ishte vështirë të luash në një stadium modern, në një atmosferë të zjarrtë dhe çka iu motivoi më shumë?
Betim Haxhimusa: Nuk ka qenë e vështirë, por ka qenë motiv më i madh duke pas parasysh që kemi luajtur në një stadium evropian, siç është stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Bota sot”: Goli juaj përcaktoi fituesin e Superkupës, a ishte një nga momentet më të mira të karrierës tuaj?
Betim Haxhimusa: Normal është një moment mjaft i mirë që të shënosh dhe ta fitosh Superkupën. Çdo gol e ka rëndësinë e vet, por ky është ndër momentet më të mira të karrierës sime sepse shënova në një ndeshje të veçantë, në një ambient madhështor, në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe në Superkupë.
“Bota sot”: Drita pas titullit fitoi Superkupën e Kosovës, çfarë synon në edicionin e ri?
Betim Haxhimusa: Normal se do të futemi që nga fillimi i kampionatit që të arrijmë objektivat e klubit. Misioni ynë është luajmë bukur dhe të luftojmë për trofe po ashtu t’i kënaqim edhe tifozët tanë siç janë “Intelektualët”.
“Bota sot”: Të dielën e kësaj fundjave, Drita e pret KEK-un, është një Dritë në formë apo paksa e lodhur nga ndeshjet në Champions League e Europa League, tani në Superkupë?
Betim Haxhimusa: Jemi pak të ngarkuar, se kemi bërë shumë ndeshje, pra jemi pa pushim. Po besoj se këndellemi dhe do të futemi fuqishëm.
“Bota sot”: Drita ka pasur një histori të mirë në Europë, a mendoni se me Dudelangen nga Luksemburgu, fati sportiv ishte kundër apo ka ndikuar edhe diçka tjetër?
Betim Haxhimusa: Të gjithë e dini historinë e ndeshjes së parë në Dudelange. Në fakt, na ka munguar fati në ndeshjen me Dudelangen, por mendoj që kemi bërë histori të mirë.
“Bota sot”: A mendoni se edicioni i ri do të jetë edhe më i mirë dhe cilat skuadra i sheh për titull?
Betim Haxhimusa: Normal se do të jetë një kampionat i fortë, ka shumë ekipe për titull.
IPKO Superliga, java 1
E shtunë
Feronikeli-Trepça ’89 16.45
E diel
Drita-KEK-u 16.45
Liria- Ballkani 16.45
Flamurtari - Ferizaj 16.45
Llapi - Drenica 16.45
E hënë
Prishtina - Gjilani 19.45