Osmani: Shkëndija nesër do të jetë maksimalisht e mobilizuar kundër austriakëve

Futboll

Osmani: Shkëndija nesër do të jetë maksimalisht e mobilizuar kundër austriakëve

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 16:00
Osmani: Shkëndija nesër do të jetë maksimalisht e mobilizuar kundër austriakëve

Kampioni dhe fituesi i Kupës së Maqedonisë, Shkëndija nga Tetova, është mobilizuar në çdo aspekt dhe synon fitore ndaj skuadrës austriake, Salzburg, në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë eliminator të Champions League. Ndeshja luhet nesër në orën 20.15 në stadiumin “Filip II” në Shkup, ndërsa Salzburg ka fituar takimin e parë me rezultat 3:0. Kryetrajneri i Shkëndijes, Qatip Osmani dhe mbrojtësi Visar Musliu, shprehen optimistë para sfidës shumë të vështirë, kundër kampionit austriak.

“Edhe pse kemi rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe përkundër diferencës së thellë neve në Shkup kemi të drejtë të shpresojmë. Megjithatë ne duhet të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë. Në futboll ndodhin befasitë, kështu që Shkëndija nesër do të jetë maksimalisht e mobilizuar dhe e angazhuar për të treguar lojën më të mirë të mundshme. Mund të kemi ndryshime të vogla në formacion, problemi i vetëm është lëndimi që pësoi Murati në takimin me Vardarin.

Gjithsesi në këtë moment gjithë vëmendja jonë është për sfidën me Red Bull Salzburgun, ndërsa pas takimit do të shikojmë se në çfarë drejtimi do të duhet të mendojmë për të ardhmen”, tha Osmani. “Neve në ndeshjen e parë na mungoi pak eksperienca nga ndeshje të nivelit të këtillë europian, duke bërë gabime që na kushtuan me pranim të golave. Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe besoj se jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit. Do të kërkojmë të tregojmë në rradhë të parë karakter kampioni dhe pastaj do të shohim se cili do të jetë rezultati final”, shprehet Musliu.

Ekspedita e Shkëndijës tashmë është vendosur në Shkup, ndërsa sonte në orën 20:00 në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në program është seanca e fundit stërvitore para përballjes të së martës me Red Bull Salzburgun. Ekipi austriak do të ushtrojë në stadiumin kryesor të Shkupit nga ora 19:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat