Shaqiri: Atmosferë e shkëlqyer në Anfield, fillim i përsosur në Ligën Premier

Futboll

Shaqiri: Atmosferë e shkëlqyer në Anfield, fillim i përsosur në Ligën Premier

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 21:47
Xherdan Shaqiri

Mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri, të dielën ka debutuar në Ligën Premier me fanellën e Liverpoolit.

Në ndeshjen e parë të sezonit 2018/2019, Redsat fituan me rezultat 4-0 në Anfield kundër West Ham Unitedit, me golat e Mohamed Salah, Sadio Mane (dy gola) dhe Daniel Sturridge.

Shaqiri u inkuadrua në lojë në minutën e 82-të të takimit duke e zëvendësuar golashënuesin e dyfishtë, Sadio Mane.

Publiku e priti me brohoritje dhe duartrokitje futbollistin nga Kosova në momentin e hyrjes në lojë, ndërsa ai ishte mjaft i gëzuar.

“Atmosferë e shkëlqyer sot në Anfield, me një fillim të përsosur në Ligën Premier”, ka shkruar Shaqiri në Twitter.

Xherdan Shaqiri iu bashkua Liverpoolit në korrik të këtij viti nga Stoke City, pasi Redsat e aktivizuan klauzolën e tij prej 13.5 milionë funtesh (15 milionë euro).

Ai debutoi më 29 korrik në ndeshjen miqësore kundër Manchester Unitedit duke shënuar një gol fantastik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat