Unai Emery zgjedh një kampion bote si kapiten të Arsenalit

Futboll

Unai Emery zgjedh një kampion bote si kapiten të Arsenalit

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 16:21
Laurent Koscielny

Laurent Koscielny është emëruar kapiten i Arsenalit për sezonin 2018-2019. Mbrojtësi me eksperiencë, Per Mertesacker, shërbeu si kapiten i klubit të “topçinjve” para pensionimit të tij, në fund të sezonit të kaluar, ndërsa tani është qendërmbrojtësi Koscielny, që do ta marrë përsipër këtë përgjegjësi.

Trajneri i ri, Unai Emery, ka zgjedhur, gjithashtu, Petr Cech, Aaron Ramsey, Mesut Ozil dhe Granit Xhaka, si pjesë e një grupi udhëheqës të Arsenalit. Njëri nga ky kuartet do ta marrë shiritin në krah të dielën, në ndeshjen e parë të Premier League për këtë sezon, kundër Manchester City, duke pasur parasysh se Koscielny është mënjanë, si pasojë e dëmtimit të kyçit të këmbës, çka e la atë jashtë fushatës triumfuese të Francës në Botërorin e Rusisë.

“Kapiteni i këtij grupi është Laurent Koscielny, i cili është i dëmtuar për momentin, – tha trajneri Emery në faqen zyrtare të klubit. – Pas Laurent, kapitenët tanë të tjerë janë Petr Cech, Aaron Ramsey, Mesut Ozil dhe Granit Xhaka. Unë dua liderë në ekip, çdo lojtar, në çdo kohë, duhet të ketë aftësinë për të treguar udhëheqje, por këto janë pesë lojtarët, që kanë mundësinë të jenë kapitenë”.

Ndeshja kundër Manchester City do të jetë e para e Arsenalit në Premier League, pa Arsene Wenger si trajner, që nga shtatori i vitit 1996.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat