Analiza ndryshe e Cassanos: CR7 do të shënojë 40 gola, Messi mbetet më i miri

Futboll

Analiza ndryshe e Cassanos: CR7 do të shënojë 40 gola, Messi mbetet më i miri

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 11:08
Antonio Cassano

Midis vrapimit, tenisit dhe ngritjes së peshave në palestër, Antonio Cassano vazhdon të jetë në gjendje fizike, duke pritur ofertën e duhur. Prandaj, ai nuk ndihet si një ish. “Agjenti im (Alessandro Moggi) më gjeti mundësinë të luaj sërish futboll dhe e falenderoj për këtë. Më krijoi mundësinë të zgjedh mes shumë ekipeve, por kam shumë vështirësi, sepse nuk mund të qëndroj larg nga familja”. Parma është ëndrra, ndërkohë që “FantAntonio” shikon futboll në TV dhe nuk ngurron të japë mendimin e tij për zhvillimet e ditës në këtë sport.

Cassano, atëherë me Ronaldon te Juventusi, bardhezinjtë e kanë titullin në xhep?
Çështje e mbyllur, të paktën deri në vitin 2022.

Sa gola do të shënojë CR7?
40 gola.

Merkato është ende e hapur. Cilën skuadër sheh pas bardhezinjve?
Vetëm Interin.

Ronaldo është 33 vjeç dhe ka kushtuar 100 milionë. Kush e bëri marrëveshjen, Juventusi apo Reali?
Juventusi, sepse nëse ju merrni lojtarin e dytë më të mirë në botë…

I dyti?
Më i forti mbetet Messi. Por, CR7 te Juventusi është një goditje e madhe dhe ai do t’i shpërblejë bardhezinjtë për gjithçka, si në sport, ashtu edhe në aspektin e parave. Falë golave të tij të shumtë do të vijnë edhe rezultatet, pastaj ne duhet të llogarisim të ardhurat nga fanellat e tij të shitura dhe suvenire të tjera, që lidhen me Ronaldon. Kjo nuk ishte një marrëveshje, por një marrëveshje e madhe.

Ai luante te Real Madridi. A jeni i befasuar nga Juventusi, që e mori Ronaldon?
Jo, sepse e njoh mjedisin. Gjithashtu, e di si vepron Florentino Perez, si i bën llogaritë te Real Madridi. Kur erdhi koha, ai, gjithashtu, largoi Ronaldon (Fenomenin), dhe Beckham. Nuk jam i befasuar se edhe me Cristianon veproi kështu.

Pra, Ronaldon e sheh në situatë më të mirë te Juventusi?
Ai është bërë për Juven. Një superlojtar nga pikëpamja fizike. Ronaldo e do punën e tij dhe nuk lëndohet kurrë.

A do të funksionojë dyshja CR7-Allegri?
Po, Max është i jashtëzakonshëm në menaxhimin e “mostrave” të tilla si Ronaldo.

Por, a do të jetë Ronaldo i mjaftueshëm për Ligën e Kampionëve?
Juventusi nuk është favoriti. Barcelona do të fitojë për mua.

Ronaldo arriti në Seria A, ndërsa Higuain dhe Icardi mbetën në Itali. A i kemi ne mbretërit e golave?
Sidoqoftë, në Spanjë luan Messi.

I cili, në Botërorin e Rusisë ka zhgënjyer…
Një turne i shëmtuar. Messi është 31 vjeç dhe nuk ka pasur një ekip të fortë rreth tij: lojërat nuk fitohen vetëm.

Le të kthehemi në Itali. Na e parashikoni dot podiumin e golashënuesve më të mirë të kampionatit të ardhshëm?
Ronaldo, Higuain dhe Dzeko.

Po Icardi?
I katërti.

Çfarë mendoni për Higuain në Milano?
Juventusi ka bërë një zgjedhje dhe duhet të respektohet. Sipas mendimit tim, Gonzalo mund të luajë me Ronaldon, sepse është një kopje e Benzema.

Po rikthimi i Bonucci në Torino?
Bonucci e njeh mjedisin, Juventusi është shtëpia e tij, do të shërbejë shumë për Ligën e Kampionëve. Caldara duhet të tregojë vlerën e tij në nivele të caktuara. Me Ronaldon në formacion, nuk do të jetë e lehtë për të gjetur vendin e duhur për Dybala.

Pse nuk është Dzeko në podium?
Se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë me Schick. Patrik nuk është sulmues i jashtëm. Në 4-3-3 të Di Francesco ka vend vetëm për një.

Edhe Icardi është jashtë treshes suaj ideale. Pse?
Ai shënon shumë dhe për një sulmues kjo është e rëndësishme. Por vetëm shënon. Cilësisht, unë preferoj Dzeko.

Lautaro Martinez?
Për Ausilio është një fenomen, por nuk e di nëse Spalletti do të këmbëngulë t’i bëjë ata që të luajnë së bashku.

Dhe Mertens?
Sarri i “qepi” atij një “kostum” të ri dhe shënoi shumë. Tani do të shohim se çfarë do të bëjë me Ancelottin trajner.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat