Katër momentet më të vështira në jetë të Sinan Osmanit!

Futboll

Katër momentet më të vështira në jetë të Sinan Osmanit!

Nga: Kemajl Goca Më: 10 gusht 2018 Në ora: 15:07
Sinan Osmani

Vitet e 90-ta (1991-99), vite që nuk fshihen kurrë nga kujtesa e shqiptarëve. Vitet e terrorit të madh nga regjimi kriminal serb.  Në çdo fushë shqiptarët ishin të sulmuar, të arrestuar dhe shumë prej tyre të vrarë. Sportistët zhvillonin aktivitetet në fusha të improvizuara dhe ishin të kërcënuar vazhdimisht nga milicia serbiane. Sa e sa herë sportistët tanë hasën nën tytat e automatikëve nga paramilitarët dhe milicia serbe, por asnjëherë nuk ia doli t’i ndalë aktivitetet e tyre. Një emër që nuk harrohet dhe që dha shumë për futbollin, gjithsesi është edhe trajneri i mirënjohur Sinan Osmani. Ai në kohën e okupimit ka qenë kryetrajner i Lirisë së Prizrenit, skuadër me renome. Osmani për një moment kujton sakrificat e asaj kohe, por pak ndalet dhe ofshanë, ku thotë: “Ishim me fat që nuk na vranë milicia e Serbisë”.  Osmani është njeriu që hyri në historinë më të re të KF Lirisë dhe që kontribuoi dhe i atribuohen shumica e sukseseve në kohën e aparteidit klasik, në kohën e pavarësimit të futbollit të Kosovës.

Nën drejtimin e tij KF Liria u bë kampion në edicionin 1994-95, kur në Sadovinë e mposhtëm KF Kitkën (tani Kika) pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 5:4. Ai në atë kohë ishte njëri nga shtyllat kryesore në të cilat mbështetej klubi, duke kryer punën e kryetrajnerit por edhe punën e ekonomit, mbajtës i fushës (vullnetarisht). “Postin e ndihmësit të shefit të shtabit teknik e kam marr në vitin 1992. Kam qenë ndihmës i shefit z. Gafurr Kaçaniku. Kryetar në atë kohë ka qenë Beqir Hoxha mandej vjen baca Agim Bytyçi. Atëkohë ishin Agim Bytyçi, nënkryetar, dëshmori Naim Rexhepi dhe drejtor z. Enver Besimi”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”. Osmani kujton periudhën e errët kur u sulmua fizikisht nga okupatori serb. 

“Pas sulmit fizik në vitin 1993 në fshatin Gjinoc të Therandës, ku brutalisht u rrahën Gafurr Kaçaniku, Arlind Kaçaniku dhe unë Sinan Osmani. Kjo ndodhi në ndeshjen me Dukagjinin e Klinës. Më pas klubi u transferua në Arbanë (ish Dushanova legjendare)”, tregon ish kryetrajneri i Lirisë.  Pas sulmit, presionit, cili ishte kërcënimi nga milicia serbe? “Nga ajo kohë, pra nga viti 1993 deri në çlirimin e Kosovës, ne aktivitetet e KF Lirisë i kemi mbajtur në Arbanë. Në vitin 1993-94 u kualifikuam në play-off në grupin e Gjakovës, ku në Llukar në rrethin e parë eliminuam Trepçën, pas penalltive,  kurse në ndeshjen e dytë humbëm nga Prishtina me rezultat 2:1. Në sezonin 1994-95 u bëmë kampion të Kosovës duke eliminuar Trepçën me rezultat 4:0 dhe Prishtinën po ashtu me 4:0, kurse në finale e mposhtëm KF Kitkën me penallti 5:4.

Image

Liria në kohën e okupimit

Te dalluarit e atij kampionatit ishin Erxhan Dana, Nehari Toska, Mirsad Çollaku dhe portieri Nuredin Çollaku. Ndeshjet në Arbanë i ndiqnin rreth 2000-3000 shikues, kurse në Sadovinë, në finale ishin rreth 4000 veta. Luajtëm edhe në finale të Kupës, ku u mposhtëm nga Prishtina me rezultat 2:1”, kështu Osmani e kujton periudhën e kohës së okupimit.  Të jesh kryetrajner në atëkohë ka qenë sikurse të shkosh në front të luftës. Sa herë që sportistët kanë dalë nga shtëpia dhe për t’u nisur në një qytet tjetër, pikën e parë e kanë menduar: A do të shpëtojnë nga rrahja dhe nga arrestimet e milicisë serbo-çetnike.  Osmani kurrë nuk i harron katër momentet më të vështira të jetës së tij. “Ishin katër momente më të vështira të asaj kohë që unë i përjetova:  1. Në hyrje të Drenasit milicia serbe na ndaloi dhe na nxori nga autobusi, na bënë pyetje provokuese!

Image

Arsim Fehmiu e Sinan Osmani

Na pyetën ku po shkoni, me luajt në Serbicë apo Skenderaj? Unë ju drejtova: ‘Ne po luajmë në Llaushë dhe ju merrni si te doni, ne pajtohemi’. Normal se ishim të frikësuar se do të na burgosnin dhe do të na torturonin, se në Gjinoc ku përpos rrahjeve dhe fyerjeve na dërguan në stacionin e milicisë në Therandë. Momenti i dytë, ishte bastisja e shtëpisë sime, ku për fatin tim nuk ishte familja ime prezent, fëmijët dhe shoqja. Fëmijë ishin të dajtë. Momenti i tretë ka qenë masakra e Prekazit, kryetari i atëhershëm z. Agim Bytyçi, na ftoi me një takim urgjent në xhaminë e Dragodanit, ku na kumtoi për ndërprerje të garave dhe aktiviteteve të klubit.

Image

KF Liria në vitet e 90-ta

Momenti i katërt, ishte kur dëgjova se në pritje të fshatit Fortesë ra lojtari ynë, tash dëshmori Përparim Thaçi. Me të dëgjuar lajmin unë me shokun tim Fetah Kajdomçaj shkuam në Landovicë, në familjen e Përparimit për të takuar babain e Përparimit njëherësh anëtar i kryesisë Ali Thaçi, aty na thanë se i babai është në varrimin e Përparimit në fshatin Drenoc. Ne me at shokun edhe pse situata ishte e tensionuar, u nisem drejt Drenocit për ta mbërri varrimin, mjerisht në hyrje të fshatit na thanë se varrimi është krye me nderime të larta ushtarake”, tregon momentet më të vështira të jetës, Osmani. “Sot ndihem krenar që stadiumi i qytetit në Prizren mban emrin e lojtarit tim, dëshmorit Përparim Thaçi”, tha më tej ai.

Image

KF Liria 1994-95, kampione e Kosovës

Osmani kurrë nuk ia harron të mirat fshatit Arbanë: “Nga zemra i falënderoj fshatarët e lagjes Arbana për sigurinë,  mirëvajtjes së rregullt të garave, një falënderim edhe për kryesinë e KF Liria, për futbollistët që dhanë kontributin për çështjen tonë kombëtare, ku përpos shqiptarëve pat edhe minoritarë turk. Një falënderim i veçantë për shoqen time, për frikën që e përjetoj, si për kontributin e saj sepse ajo plot tri vite i ka larë fanellat e lojtarëve deri në emërimin e ekonomit Festim Hoxha”. Një periudhë të gjatë me futboll, më shumë përfituat apo humbët? “Jo, unë përfitova, se e dhash atë që është dashtë me dhënë për këtë shtet. E vuajtjet, streset dhe sakrificat janë asgjë kundër asaj çka kemi ëndërruar që të luajmë të lirë në fushat tona”, përgjigjet Osmani. Ai aktualisht është trajner te KF Liria për juniorë.

Image

Pas luftës

“Punoj me juniorët e Lirisë, ku isha edhe shtatë vite koordinator në shkollën e Lirisë”, ka thënë Osmani.  Futbolli dhe sporti në përgjithësi nuk do të ishte i fuqishëm në kohën e okupimit pa ndihmën e donatorëve dhe të sponsorëve. “Një falënderim edhe për Shukri Sylejmanin nga Gjilani, Bajram Bardhin e Gjakovës, Galani i Besës, gjyqtarin Shihnasi Berisha, Arbon Deskun e Dukagjinit të Klinës, Musli Lipovecin e Therandës, Beqir Aliun, kryetar atëkohë i KF Prishtinës, trajnerët Genc Hoxhën atëkohë te Vëllaznimi, Bylbyl Sokolin, Ajet Shoshollin dhe shumë e shumë, që nuk më kujtohen për momentin”, shpreh mirënjohjen Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat