Dhjetë milion euro për këtë stadium në Kosovë

Futboll

Dhjetë milion euro për këtë stadium në Kosovë

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 12:34
Dhjetë milion euro për këtë stadium në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Ministrin e Financave Bedri Hamza, kanë vizituar sot Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Në kuadër të kësaj vizite, ata kanë parë nga afër situatën e tanishme të stadiumit dhe janë pajtuar që kjo arenë sportive të shndërrohet në stadium të kategorisë së katërt sipas standardeve të UEFA-së.

Ministri Gashi ka deklaruar se MKRS-ja është në procedura që edhe stadiumin në Mitrovicë ta shndërrojnë në kategorinë e katërt. “Jemi në procedura që ta shndërrojmë stadiumin në Mitrovicë në të kategorisë së katërt në mënyrë që reprezentacioni i Kosovës të ketë mundësi t’i zhvillojë ndeshjet edhe në këtë stadium”, tha mes tjerash ministri.

Image

Ai paralajmëroi se do të ketë investime të reja e të mëdha në stadiumin në Mitrovicë dhe Kosova do t’i ketë dy stadiume të kategorisë së katërt. “Dalëngadalë po i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe kriteret e UEFA-së që Kosova përfundimisht të gjitha t’i zhvillon në Kosovë pa pasur nevojë t’i shfrytëzojë stadiumet e shteteve përreth”, ka thënë ministri.

“Jam shumë i bindur që në vitin 2019 stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i gatshëm dhe të kthehet në kategorinë e katërt dhe do të jetë ndër stadiumet më të bukura edhe për shkak të kapaciteteve që ka ky stadium”, paralajmëroi ministri Gashi.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit deklaroi se Mitrovica, sporti dhe ekonomia janë interesa strategjike të vendit tonë. “Vizitat që po i realizojmë ditëve të fundit tregojnë për një përkushtim të qartë tonin për modernizimin e sportit në vendin tonë”.

“Në bazë të asaj që kam biseduar me ministrin e sportit dhe atë të financave, në stadiumin e Mitrovicës do të investohen rreth 10 milionë euro, ku do t’i ndërrohet tërë fasada e jashtme dhe do të modernizohet infrastruktura e brendshme e këtij stadiumi”, ka njoftuar Veseli.

Ndërsa, Ministri i Financave, Bedri Hamza deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës përveç se do të sigurojë financim të qëndrueshëm për objektet sportive do të vazhdohet me financimin e projekteve të fuqishme në Mitrovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat