Gashi bashkë me Veselin premtojnë stadiume të reja në tërë Kosovën

Futboll

Gashi bashkë me Veselin premtojnë stadiume të reja në tërë Kosovën

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 12:11
Kujtim Gashi dhe Kadri Veseli

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin vizituan Stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”, për të parë nga afër investimet që janë bërë në këtë stadium.

Të veshur me fanella sportive Gashi dhe Veseli e provuan pak lojën e futbollit në stadiumin e ri.

Ministri Gashi tha se përfundimi i punimeve në stadium është një moment shumë i  veçantë për të gjithë pasi për herë të parë lojërat e përfaqësueses së Kosovës do të luhen në Prishtinë. I veçantë për ministrin ishte ky moment edhe për shkak se u bë realitet ideja e legjendës Fadil Vokrri, i cili ka ndërruar jetë në qershor të këtij viti.

Gashi: Më në fund do ta kemi stadiumin e nivelit të UEFA-s

“Është një kënaqësi e veçantë që të jemi sot bashkë të vizitojmë përfundimin e punimeve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Siç e dini para 2 ditësh edhe UEFA e ka dhënë dritën e gjelbër që me datën 13 të luhet loja në stadiumin e Prishtinës. Padyshim se kjo është një arritje shumë e madhe edhe e Ministrisë së  Sportit por edhe e Qeverisë, që më në fund Kosova ta ketë një stadium të kategorisë 4 sipas kritereve dhe kërkesa të UEFA-s. Për herë të parë në Kosovë do të luhen lojërat në Prishtinë dhe është një momentum shumë i veçantë për neve që më në fund kemi arritë ta kemi stadiumin të gatshëm”, tha ministri.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se stadiume me kushte të tilla nuk do të ketë vetëm në Prishtinë, por në të gjitha qytetet e Kosovës, duke e theksuar kështu Stadiumin Kombëtar në Mitrovicë. Ai tha se Kosova ka pretendime të qarta për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror dhe se stadiume me kushte të mira do t’i ndihmojë të rinjve të zhvillojnë aftësitë e tyre.

Veseli: Stadiumi Kombëtar fillon të ndërtohet në fillim të vitit 2019 

“Kjo do të vazhdon të jeni të sigurt, në gjithë Republikën e Kosovës. Ky është projekti që po përfundon dhe do të vazhdojmë menjëherë në Mitrovicë, do ta kemi projektin edhe më të bukur se ky për arsye se është më i madh dhe i ka kapacitetet më të mira se stadiumi i Prishtinës. Stadiumi do të jetë Kombëtar dhe fillon që nga fillimi i vitit të ardhshëm”, tha ai.

Sipas tij do të investohet edhe në terene sportive në qytete tjera si në Prizren, Podujevë, Ferizaj, Gjakovë etj.

Duke folur për emërtimin e stadiumit me emrin e Fadil Vokrrit tha se tanimë i ndjeri ka qenë emblemë e futbollit të Kosovës dhe edhe pse ai nuk është në mesin e të gjallëve emri i tij do të qëndrojë përjetë dhe do të jetë idela për të gjithë të rinjtë që merren me sport.

Veseli: Fadil Vokrri emblemë e futbollit e ideal i të rinjve 

“Ne jemi rritur me legjendën e futbollit Fadil Vokrri. Sot është pjesë emocionale, nuk e kemi në mesin tonë por e kemi stadiumin, i cili do të mbajë përjetë emrin e tij dhe në të njëjtën kohë do të jetë ideal i gjithë të rinjëve e të rejave që do të meren me sport, se si duhet të jetë i suksesshëm në sport dhe pas përmbylljes së karrierës aktive të sportit”, tha Veseli.

Stadiumi i Prishtinës u emërtua me emrin e legjendës Fadil Vokrri me datën 6 të këtij muaji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat