Spahiu: Unë po shkoj të referoj, a kthehem i gjallë nuk e di!

Futboll

Spahiu: Unë po shkoj të referoj, a kthehem i gjallë nuk e di!

Nga: Kemajl Goca Më: 7 gusht 2018 Në ora: 19:13
Spahiu gjatë një ndeshje në mes, Arbmor Morina përshendetet me Hysni Dragaçinën

Në vitet e 90-ta Kosova ishte e okupuar nga Serbia shoveniste.  Shqiptarët ishin larguar nga puna, u mbyllë Universiteti i Prishtinës, u mbyllën shkollat shqipe, sportistët u dëbuan nga stadiumet dhe palestrat sportive, Kosova ishte në terr informativ dhe çdo gjë që ishte shqiptare sulmohej me tërë makinerinë nga okupatori serb. Në kushte të vështira, sporti ekzistonte ashtu si mundej dhe zhvillonin aktivitetet në fusha të improvizuara. Sportistët ishin të përndjekur, të rrahur, të burgosur e disa të vrarë nga regjimi kriminal serbian.  Ish gjyqtari i mirënjohur, Ilijaz Spahiu, kujton kohën e ferrit, kohën që çdo ndeshje që shkonte për të referuar përshëndetej me bashkëshorten sikurse të shkonte në luftë!  Spahiu për gazetën kombëtare “Bota sot” ka rrëfyer tmerrin që kishte përjetuar nga milicia kriminale serbiane.

Para 25 viteve (1993) keni qenë në rrezik për jetë, a mund ta shpjegoni çka ndodhi në kuadër të Kampionatit të Kosovës, grupi i Mitrovicës, në ndeshjen mes Birlikut nga Mitrovica dhe Skenderajt. “Gjithmonë jam përshëndetur me gruan dhe ia lash amanet fëmijët, se unë po shkoj të referoj, a kthehem i gjallë nuk e di. Me 31 tetor të vitit 1993 ishim të deleguar që të referonim ndeshjen KF Birliku - KF Skenderaj,  që luhej në Shupkovc afër Mitrovicës,  ku ishin më së 1500 apo 2000 shikues, në qoftë se nuk gaboj, ndeshja filloj si është më së miri, për fat të keq at ditë e kisha edhe çunin (djalin) Luanin, që kur nuk e kisha marr me veti në ndeshje, po at ditë e kisha me veti.

Image

Spahiu në mes 

Policia shoveniste e Serbisë ndërhyri në terren me autoblinda dhe na rrethuan dhe gjuajtën me automatikë përpjetë, për fat në at rrëmujë, që unë tentova ta marr djalin e të iknim, u hutova dhe nuk e pash djalin në at moment. Njëri nga policët e agresorit me kapi dhe unë e rrëzova për tokë e hipa për mbi të, nuk e lejova që ta nxjerr revolen por policë të tjerë më sillnin me shufra gome në të gjitha pjesë e trupit dhe në kokë pa ndërprerë, mu desh ta lëshoi policin. Nuk qëndroja më, i kanë rrahur edhe disa shikues, e pash edhe futbollistin e Skenderajt Dobrën dhe trajnerin e Birlikut  (emri nuk më kujtohet), i zunë por ata i lëshuan atëkohë. Dua të theksoi një djalosh nga fshati Shupkovc e kishte marr djalin tim dhe me biçikletë e kishte dërguar në shtëpinë time në Vushtrri”, kujton kohën e ferrit, Spahiu. Jo me kaq, Spahiun e kishin detyruar që t’i shkulte edhe shtyllat! “Është e vërtet që policia shoveniste serbë më detyroi t’i shkuli shtyllat.

Unë duke shkulur shtyllat, ata me sillnin pa ndërprerë. Pasi që i shkula shtyllat nuk u ndal rrahja, ndërsa kryesori i policisë me tha: Pse po referoi? Ju përgjigja: ‘Ky është vendi im’. Ai me grushtoi dhe me shqelmoi, duke më thënë: Kjo është Serbi. Filluan prapë të më godisni me shufrat e gomës pa ndërprerë nga 4 apo 5 policë. Isha i përgjakur dhe me futen në autoblindë, në hyrje të tunelit me goditën me kondak të automatikut dhe me grushte, me rrahën prapë deri ne stacionin policor. Në hyrje me lidhen për radiatori dhe secili që hynte ma jepte nga një flakaresh apo shqelm, plus më goditi edhe një romë që pastronte aty, me mbajtën 7 orë.

Oficeri i policisë me gradë, nuk me afroi as uji, po ujitke lulet dhe me quan në fotografim, me dhënë gisht. Në fund me thanë duhet të lajmërohesh për çdo ditë në orën 9.00 të mëngjesit në stacionin e policisë në Mitrovicë, por asnjëherë nuk iu kam lajmëruar kësaj thirrje”, thotë Spahiu.  Ish gjyqtari nuk është pishman asnjëherë për sakrificën: “Sakrifikuam shumë me shokë dhe jam kanë i betuar që edhe jetën me dhënë veç me pa Kosovën e lirë dhe të gjitha sportet të kenë të drejtat sikur e gjithë bota. Sakrificat tona nuk çmohen thuaja hiq në ditën e sotme. Vetëm fjalë boshe.

Jam me trup në SHBA po me mendje në Kosovë.  Me ka mbetur hatri si në udhëheqjen e mëparshme të FFK-së të udhëhequr nga z. Sabri Hashani  dhe nga kjo FFK e tashme e cila ishte e udhëhequr nga i ndjeri z. Fadil Vokrri, që asnjëherë nuk jemi ftuar apo përmendur në ndonjë ceremoni apo takim me ishin kontribuuesit e pavarësimit të futbollit të Kosovës”, theksoi ai.  Spahiu nuk do që ta kthejë kohën pas: “Nuk dua ta kthej kohën prapa, se tash e kemi shtetin tonë, jemi më të lirë, po do të kisha dëshirë të referoi, po të gjitha shkojnë me kohë.

Dua t’i falënderohemi familjes së kolegut tim Rexhep Potokut, të cilët me dolën në ndihmë të cilit me strehuan në shtëpinë e tyre se isha i rraskapitur dhe në gjendje, jo të mirë shëndetësore pas rrahjes nga agresori serb, me datë 31 tetor 1993, ku me dërguan në një klinikë mjekësore private në Tavnik. E falënderoj kryetarin e KF Kosova (V), të ndjerin dr. Njazi Badivukun, si dhe trajnerin  Besim Pantinën dhe dr Fazli Jetullahun, dr Xhafer Bajgorën që me erdhën në kohën më kritike të jetës sime dhe ndihma e tyre sot unë jam gjallë. Mirënjohës i jam qytetarëve të Vushtrrisë dhe FFK-së vitit 1991, lojtarët, kryesitë e klubeve në mbarë Kosovën që me vizituan dhe me dhanë kurajë, forcë që nuk u ndala asnjë moment nga referimi”, ka thënë Spahiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat