Milani ka qëlluar në shenjë: Maldini e di rrugën drejt triumfeve

Futboll

Milani ka qëlluar në shenjë: Maldini e di rrugën drejt triumfeve

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 11:11
Paolo Maldini

Në vitin 1978 Paolo bëri provën e parë të Milani: ishte vetëm 10 vjeç. Më 20 janar 1985 Liedholm i dhuroi debutimin në Serie A kundër Udinezes: ishte vetëm 16 vjeç. Më 31 maj 2009 luajti ndeshjen e fundit me fanellën kuqezi, në Firence: ishte thuajse 41 vjeç.

Mes këtyre dative, 902 ndeshje zyrtare, 26 trofe, ku spikatin 7 tituj kampion dhe 5 Kupa Kampionësh / Champions League (dhe 8 finale).

Më shumë se 9 vjet më pas, Paolo tashmë 50-vjeçar rikthehet te Milani si “drejtor i zhvillimit strategjik sportive”. Një histori e jashtëzakonshme futbolli dhe jete, pasioni dhe dashurie. Nëse kjo do të jetë më e mira në historinë e klubit, këtë e vendosin tifozët.

Maldinin mund ta quani ikonë, flamur, legjendë, por ideja për të qendruar në klub thjesht si imazh shpesh herë në të shkuarën e ka bërë të thotë “jo”. Ai kërkonte të ishte pjesë e një projekti serioz dhe me sa duket tanimë e ka gjetur, përderisa ka thënë “po”.

Detyrat e Paolos - “Drejtor i zhvillimit strategjik sportive” është një rol i ri, i padëgjuar më parë: mund të thotë gjithçka ose asgjë. Fuqinë vendimmarrëse që ky rol bart do ta shohim në muajt në vazhdim, por tani për tani Maldinit i jep mundësinë që të ketë një detyrë krejtësisht të tijën. Nuk do të jetë vartësi i askujt, nuk do të jetë ambasador apo këshilltar i ndokujt. Sigurisht që do të punojë bashkë me Leonardon, personi që arriti më në fund ta rikthente, duke plotësuar edhe një dëshirë të madhe të Fondit Elliot.

Do të merret me zhvillimin e pjesës teknike dhe të strategjisë, nga sektori i të rinjve e deri te skuadra e parë. Maldini merr vesh nga futbolli: 25 vjet si lojtar i nivelit më të lartë janë dëshmia më e madhe për këtë. Por me siguri që do të vërë në funksionim edhe përvojën e mbledhur në Shtetet e Bashkuara në lidhje me strategjitë e marketingut.

Me rikthimin e tij, Milani po ravijëzon një strukturë të re në klub: në krye qendrojnë Presidenti Scaroni dhe anëtarët e bordit, të gjithë me përvojë në financa dhe ekonomi, me detyrën për të ringritur klubin dhe rregulluar bilancet.

Mungon për momentin administratori i deleguar (një Galiani) e më pas vjen pjesa teknike, me njerëz të futbollit si Leonardo dhe Milani. Braziliani te “Djalli” i ka bërë të gjitha: lojtarin, trajnerin, drejtuesin. Ndërsa Maldini, simboli i skuadrës, plotëson mozaikun me një rol operativ. Në stol, një tjetër pjesë e historisë së Milanit, Gennaro Gattuso.

Dhe pas blerjes së Higuain, Milani mund të thotë me plot gojën se ka marrë rrugën që të çon te suksesi. Dhe askush nuk e njeh këtë klub më mirë se Maldini, i cili ka qendruar aty për 25 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat