Rikthimi i bujshëm te Milani, pritet zyrtarizimi i Maldinit si drejtues

Futboll

Rikthimi i bujshëm te Milani, pritet zyrtarizimi i Maldinit si drejtues

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 13:22
Paolo Maldini

Paolo Maldini duket vetëm një hap larg përfshirjes në stafin e ri drejtues të Milanit, duke u kthyer kështu në atë që për 25 vite ka qenë shtëpia e tij sportive.

Për ish-kapitenin kuqezi është gati një rol drejtues, shpallja e të cilit pritet këtë të dielë. Një vendim ky, i kërkuar me këmbëngulje nga Leonardo, por edhe nga pronarët e rinj të “djallit”, dy vite pas “Jo”-së që Maldini i tha ofertës së Yonghong Li. Garancitë e kërkuara prej tij, duket se tashmë janë përmbushur.

Stafi i ri i Milanit “amerikan” është ende i pakompletuar, ndërkohë që nga të gjitha palët, qoftë nga drejtuesit e shoqërisë ashtu dhe dëshira e tifozëve, emri i Paolo Maldinit është lakuar gjithnjë e më shumë te kuqezinjtë, pas refuzimit përmes një letre të dy viteve më parë ndaj Yonghong Li.

Tashmë situata ka ndryshuar, qëndrueshmëria e garantuar nga fondi “Elliott” duket se e ka bindur edhe ish-kapitenin e klubit nga rruga “Aldo Rossi”, i cili përmes rrjetit social Instagram ka publikuar një foto në palestër, me një mesazh që mund të interpretohet edhe si një detaj: Kuqezi, ngjyrat e mia të preferuara!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat