Zabërgja: Në fushë nuk kemi respekt për askënd

Futboll

Zabërgja: Në fushë nuk kemi respekt për askënd

Nga: Kemajl Goca Më: 25 korrik 2018 Në ora: 17:48
Zabërgja

Trepça nuk e ka vendin në Ligën e Parë të Kosovës, kështu thotë Enis Zabërgja, sulmues dhe kapiten i ri i kësaj skuadre me renome. Mitrovicasit mezi mbeten në ligën e parë dhe atë përmes barazhit. Megjithatë Zabërgja, pas një kohe është rikthyer në klubin me renome, këmbëngulë se me punë e angazhim do të ngritin sa më lartë ekipin.

Zabërgja në edicionin e kaluar ishte shtylla kryesore e KEK-ut nga Kastrioti, e cila skuadër pas një kohe të gjatë rikthehet në shoqërinë e më të mirëve. Mitrovicasit po përforcojnë radhët, organizohen më mirë dhe me synime që të rikthehen në elitën e futbollit, aty ku e kanë edhe vendin.

Optimistë shprehet edhe Zabërgja dhe sipas tij, në bazë të zhvillimeve Trepça do të jetë e fuqishme për të gjitha skuadrat. Këtë edicion liga është më interesante kur dihet se pjesë e saj janë edhe Besa e Pejës, Vëllaznimi nga Gjakova, Vushtrria, Ramiz Sadiku i Prishtinës etj.

“Bota sot”: Pas një kohe sërish në Trepçë, me çfarë synime?

Enis Zabërgja: Jam kthye me dëshirë sepse e njoh at ambient, është ka bëhet një ekip e mirë dhe besoj se do të jenë sa më lart në tabelë. Do të shikojmë me kap vendin e katërt, që dërgon në barazh.  Besoj se do të jemi ekip që do të ia prishim edhe planin shumë ekipeve sepse Trepça është ekip me traditë, ekip i madh, është shumë vështirë mu mposht.

“Bota sot”: A është koha që Trepça të mobilizohet dhe të kthehet në elitë, e cila ka edhe kushtet infrastrukturore më të mira se të gjitha ekipet tjera?

Enis Zabërgja: Trepça, patjetër duhet të jetë në Superligë. Unë mendoj se herët a vonë Trepça do të kthehet aty ku e ka vendin. Edhe Superliga nëse nuk është Trepça e disa ekipe të mëdha nuk e ka hijeshinë e saj.

“Bota sot”: Besa, Vëllaznimi, Vushtrria në Ligën e parë, a e tremb Trepçën kjo konkurrencë?

Enis Zabërgja: Për të gjitha këto ekipe do të kemi respekt, por si frikohemi asnjë kundërshtari dhe në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore. E njoh mirë kualitetin e disa ekipeve, por nuk ka diçka dallim të madh, flas prej përvojës sime. Ne do të luftojmë deri në fund dhe do të kemi respekt vetëm jashtë fushës, por në fushë nuk kemi respekt për askënd.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Trepçës?

Enis Zabërgja: Trepçës i duhet një organizim edhe më i mirë. Kanë filluar gjërat të lëvizin, ka ndryshime, besoj edhe ndonjë lojtar me përvojë i vyen. Mos harroni se Trepça është emër i madh po ashtu edhe infrastrukturën e ka.

"Bota sot”: Çfarë të bindi te kthehesh te Trepça, të largohesh nga KEK-u që siguroi elitën?

Enis Zabërgja: Është interesant, nëse ti një herë luan në at ekip e dashuron at ekip të madhe dhe kam raporte të mira me klubin, me rrethin aty, me tifozët, kështu që dëshira ime ka qenë që sërish t’i ndihmojë.  KEK-ut i dëshiroj të gjitha të mirat dhe shumë suksese. Ishte kënaqësi që e kemi kthyer në Superligë dhe është aty ku e ka pas vendin.

“Bota sot”: Sipas jush, cilat skuadra mund të luftojnë për dy vendet e para?

Enis Zabërgja: Normalisht sipas përforcimeve që janë bërë deri me tani, lojtarët sa i njoh këtu në Kosovë, besoj se Besa dhe Vëllaznimi do të jenë favoritë kryesorë për të rikthyer në elitë, pastaj edhe Dukagjini është shumë i fortë sivjet. Prandaj këto tri ekipe janë favoritë në bazë të lojtarëve që i njoh dhe që i kanë marrë deri me tani. Ndërsa Vushtrria me disa lojtarë nga Shqipëria, nuk di çfarë të them dhe sa do të ndezin apo se çfarë lojtarë janë ata.

“Bota sot”: Në Trepçë iu besohet edhe shiriti i kapitenit, një përgjegjësi e madhe?

Enis Zabërgja: Normalisht se do të jetë një përgjegjësi e madhe, por me përvojën që kam nuk do të jetë problem. Kapiten isha edhe në ekipe tjera dhe jam mësuar ta mbaj përgjegjësinë edhe presionin e kapitenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat