Inter vijon fazën përgatitore, teksa mbrëmjen e të martës po zhvillon ndeshjen e katërt miqësore. Zikaltërit po ndeshen në stadiumin “Bramall Lane”, aty ku përballen me Sheffield United. Shumë pak fat në anën e skuadrës së drejtuar nga trajneri Luciano Spalletti, që pas vetëm pak minutash nga fillimi i ndeshjes, u desh të ekzekutojë një zëvendësim të detyruar.
Pikërisht në minutën e 6’ të takimit, Dalbert përplaset në një dyluftim dhe rrëzohet në fushë, aty ku qëndron duke rënkuar dhe shtrënguar shpatullën e tij të djathtë. Ndërhyjnë menjëherë anëtarët e stafit mjekësorë zikaltër që aplikojnë akullin dhe spray, por më pas kërkohet futja në fushë e barrelës dhe detyrimisht zëvendësimi i brazilianit Dalbert, në vend të të cilit u aktivizua Roric.