Nikqi: Na duhen më shumë lojë si përzgjedhje e Pejës

Futboll

Nikqi: Na duhen më shumë lojë si përzgjedhje e Pejës

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 12:41
Pamje nga kampi

Në Durrës ka filluar Kampi i 10-të Edukativ Kombëtar për grupmoshën deri 15-vjeç “Elita 2018”, që organizohet tradicionalisht nga Federata e Futbollit e Kosovës, e që tash e dy vjet është nën mbikëqyrjen dhe mbështetjen e UEFA-s, e ku marrin pjesë përzgjedhjet e shtatë regjioneve të futbollit të Kosovës.
Bartësi i këtij kampi dhe njëherësh kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shosholli e ka vlerësuar këtë kamp si tejet të rëndësishëm për zhvillimin e grupmoshave të reja. Ai ka thënë se kampet e këtilla dëshmojnë se FFK i kushton rëndësi të madhe gjeneratave të reja, derisa talenteve u mbetet të tregojnë vlerat dhe cilësitë e tyre si individuale edhe ekipore para trajnerëve pjesëmarrës të këtij kampi. Ai ka kërkuar që ekipet të tregojnë kulturë të lartë sportive dhe mos të jetë në plan të parë fitorja me çdo kusht, por thjeshtë si deri më tash të ndjeket shembulli i ‘fair-play’-it.
Në ndeshjen hapëse të kampit u takuan përzgjedhja e Prishtinës (2) dhe përzgjedhja e Pejës, ku fitores me meritë iu gëzuan njomakët pejanë, me rezultat 3:1. Në këtë ndeshje spikati sulmuesi i ri tejet i talentuar, Dijar Nikqi, që shënoi të tre golat. Ndërkaq, golin e vetëm për prishtinasit e realizoi Etnik Bruti.

Dijar Nikqi, tha: Gjithmonë është ndjenjë e mirë kur fiton. Shënova tre gola dhe jam i lumtur për këtë, por merita i takon gjithë ekipit. Edhe pse fituam mendoj se lojtarët e Prishtinës bashkëvepronin më mirë në lojë, pasi shihej se e njihnin më mirë njëri-tjetrin dhe mendoj se vetëm fati ishte me ne. Neve na duhen më shumë lojë si përzgjedhje e Pejës, pasi jam i bindur se kemi mundësi për lojë edhe më të mirë.  Kampet e këtilla janë të mirëseardhura për ne, pasi kemi mundësi për të treguar potencialin tonë në një konkurrencë të fortë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat