Historia që pak e njohim: Dita kur Ivan Rakiticit iu desh të luajë kundër Kroacisë

Futboll

Historia që pak e njohim: Dita kur Ivan Rakiticit iu desh të luajë kundër Kroacisë

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 23:12
Ivan Raktic

Ivan Raktic hyri në histori me ekipin kombëtar kroat, duke arritur deri në finale të Kupës së Botës në Rusi, ku u mundën nga Kombëtarja e Francës.

Këtë të arritur ndoshta Rakitic nuk do ta përjetonte sikurse në një moment të karrierës së tij, të refuzonte Kroacinë për Zvicrën.

Mesfushori i Barcelonës ka lindur në Rheinfelden, pranë Bazelit. Ai u rrit në Mohlin, një vend me 11 mijë banorë, nga prind me kombësi kroate që kishin emigruar shkaku i luftës në Jugosllavi.

Pas kalimit te FC Basel dhe para nënshkrimit me Schalke 04 në moshën 19 vjeçare, Federata e Futbollit të Zvicrës kishte ndjekur nga afër zhvillimin e tij, duke e ftuar në të gjitha ekipet zinxhirë të tyre.

Më 8 maj të vitit 2005, Rakitic po përjetonte një nga momentet më të vështira në karrierë si futbollist, kur i duhej që me fanellën e Zvicrës të luante kundër vendit të tij, Kroacisë, në Kampionatin Botëror nën moshën 17 vjeçare në Itali, ku këto dy skuadra u takuan në xhiron e fundit të fazës së grupeve.

“Kjo ishte ndeshja më e vështirë e jetës sime”, deklaron Rakitic teksa kujton këtë ndeshje, që për bashkëlojtar kishte portierin aktual të Zvicrës, Yann Sommer.

Rakitic dhe të tjerët pësuan humbje 5:2 nga Kroacia, që në listën e golashënuesve ishte edhe Nikola Kalinic, sulmuesi i përjashtuar nga ekipi kombëtar në botërorin e Rusisë.

Historia e Rakiticit me Zvicrën nuk zgjati shumë, pasi që kur u mendua se ai do të ftohet nga ekipi i parë, ishte trajneri Slavan Bilic që i ndryshoi mendjen lojtarit, duke e ftuar në ekipin e Kroacisë.

“Kur kam filluar të luaj nuk kam veshur fanellën e Kroacisë, por të shtëpisë tjetër, të Zvicrës. Të jem i sinqertë, unë kam lindur në Zvicër, jam rritur atje, kam shkuar në shkollë atje, kam shokë në Zvicër, jam krenar që kam veshur atë fanellë për pesë vite, por pjesa më e madhe e zemrës time i takonte Kroacisë”, ka thënë Rakitic për ‘Players Tribune’, teksa e komentonte zgjedhjen për Kroacinë.

Sot Ivan Rakitic ndihet më kroat se kurrë. Ai me këtë gjeneratë të artë të Kroacisë kanë arritur deri në finale të Kupës së Botës, duke e zënë vendin e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat