FFK-ja i përgjigjet Lorik Sadikut: Kemi bërë gjithçka për t’ju ndihmuar

Futboll

FFK-ja i përgjigjet Lorik Sadikut: Kemi bërë gjithçka për t’ju ndihmuar

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 23:02
Lorik Sadiku

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka thënë se kishte bërë gjithçka në mundësitë e veta për t’i ndihmuar Lorik Sadikut ta zgjidhë çështjen se cilën Kombëtare ta përfaqësojë, duke iu përgjigjur deklaratave të futbollistit se FFK-ja nuk kishte pasur guxim t’i ndihmonte nga druajta se do t’i prishte marrëdhëniet me Federatën e Futbollit të Shqipërisë (FSHF).

Së fundmi Sadiku shprehu zemërimin me Shqipërinë dhe Kosovën. Ai e ka akuzuar trajnerin e atëhershme të Shqipërisë, Giani De Biasi, se ka thënë të pavërteta për të dhe organin qeverisë të futbollit kosovar se kishte pasur frikë t’i ndihmonte ta zgjidhte çështjen e përfaqësimit të njërës nga këto Kombëtare, pasi kishte hequr dorë nga Suedia.

Por, menaxheri i FFK-së, Bajram Shala, ka thënë se FFK-ja e kishte ndihmuar Sadikut në kohën kur ai kishte bërë kërkesë për ta ndërruar përfaqësuesen, për t’i mbrojtur ngjyrat e Shqipërisë në vend të Suedisë.

Bajrami thotë se nuk kanë hequr dorë ende, edhe pse pohon se futbollisti nuk ka treguar interesim maksimal në raste.

“Ne kemi bërë gjithçka që ka qenë e mundshme që ta rregullojmë çështjen e tij, por ka qenë e pamundshme në bazë të rregulloreve aktuale te FIFA-s. Ndërkohë ne akoma nuk kemi heq dorë plotësisht nga mundësia për ta kthyer Loretin në ekip. Ndonëse në disa raste as interesimi i tij nuk ka qenë maksimal”

Në vjeshtën e vitit 2013 Sadiku njoftoi se dëshiron të përfaqësojë Shqipërinë, në vend të Suedisë/

Ai u përfshi në ekipin kuqezi, por nuk luajti. Më pas zgjodhi të luajë për Kosovën në ndeshjen kundër Haitit (0:0) në mars të vitit 2014. Paraqitja e Sadikut me Kosovën ngjalli zemërim në ekipin kombëtar të Shqipërisë dhe më nuk ishte i mirëpritur aty. Ishte kohë kur Kosova ende nuk ishte e pranuar në UEFA e FIFA.

"Pas ndeshjes me Kosovën, zyrtarët e Federatës Shqiptare thanë se unë kurrë nuk do të luaja më për Shqipërinë, por më vonë më thirrën për një ndeshje. Unë kam qenë i sinqertë dhe u kam thënë atë që kam menduar. Ai (ish-trajneri Gianni De Biasi v.j.) më tha 'në rregull' dhe më pas dërgoi një deklaratë timen për mediumet e Shqipërisë ku unë kinse thosha se pranoj të luaj, por jo të jem rezervist. Unë nuk e kam thënë, pasi nuk kam menduar ashtu dhe kjo shkaktoi kaos", ka thënë Sadiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat