Njeriu që e kualifikoi skuadrën shqiptare në Champions

Futboll

Njeriu që e kualifikoi skuadrën shqiptare në Champions

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 10:36
Irakli Dzaria

Irakli Dzaria ishte heroi i Kukësit në ndeshjen e djeshme. Goli i tij i dha kualifikimin skuadrës verilindore. Mesfushori gjeorgjian është shumë i lumtur dhe nuk ngurron të deklarojë se ky ishte goli më i rëndësishëm në karrierën e deritanishme. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, 29-vjeçari tregoi për emocionet dhe ankthin e përjetuar në ndeshjen ndaj Valetës.

“Jam shumë i lumtur për golin e shënuar. Mendoj se merita është e të gjithëve, sepse për atë gol bëmë çdo gjë si ekip. Falënderoj shokët e skuadrës, pasi ky ishte një sukses që na duhej me patjetër. Natyrisht, ky ishte goli më i rëndësishëm në karrierën time të deritanishme. Ne jemi Kukësi, kemi shumë rrugë akoma përpara. Tashmë duhet të jemi të qetë dhe të përgatisim në mënyrën më të mirë ndeshjen e turit të dytë. Karabak apo Olimpija? Mendoj se këdo që do të kemi përballë, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ky kompeticion është i fortë në çdo tur, nuk ka kurrë ndeshje të lehta.

Të shpresojmë se mund të bëjmë mrekullinë”, përfundoi mesfushori i ardhur te Kukësi në muajin janar. Bëhet fjalë për një lojtar që merr 4 mijë dollarë në muaj dhe ka kaluar të gjitha pritshmëritë te Kukësi. Dzaria ka kaluar gjithë karrierën e tij në Gjeorgji përpara se të vinte në Shqipëri. Fillimet i ka në skuadrën e quajtur Kolkheti-1913 Poti, pjesë e kampionatit elitar gjeorgjian. Ndërsa më pas ka luajtur për skuadra më të njohura gjeorgjiane si Zestafoni, Dinamo Tbilisi, Dila Gori  dhe Sioni Bolnisi. Nuk duhet harruar se ka qenë pjesë e kombëtares së Gjeorgjisë dhe tashmë mund të fitojë sërish një vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat