Pele: Kampionët si Ronaldo nuk lodhen kurrë me sfida të reja

Futboll

Pele: Kampionët si Ronaldo nuk lodhen kurrë me sfida të reja

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 10:03
Cristiano Ronaldo

Vendimi i Cristiano Ronaldos për t’i dhënë fund eksperiencës 9-vjeçare te Real Madridi dhe nënshkruar me Juventusin është veprimi i duhur, sipas legjendës së futbollit, brazilianit Pele.

Ronaldo ra dakord për një kontratë katërvjeçare me kampionët e Seria A, për të kompletuar një transferim prej 100 milionë eurosh të martën.

Kapiteni i Portugalisë tha se dëshiron të fillojë një “cikël të ri” në karrierën e tij, në moshën 33-vjeçare, pasi ka fituar katër tituj Champions-i në pesë vitet e fundit në Madrid. Dhe Pele, i cili kaloi 18 vjet te Santosi, para se ta përfundonte karrierën e tij me New York Cosmos, e kupton vendimin e CR7.

“Urime, Cristiano! – shkroi ikona e Brazilit në Twitter. – Ishte e vështirë edhe për mua të bashkohesha me një skuadër tjetër, pas kaq shumë kohësh te Santosi, por bëra veprimin e duhur. Kampionët Si Ronaldo kurrë nuk lodhen me sfida të reja”.

Në të vërtetë, Ronaldo tregoi se ishte duke e konsideruar një sfidë të re në maj, pasi Real Madridi mundi Liverpool në finalen e Ligës së Kampionëve. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Real Madridin, Ronaldo, raportohet se ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, që do ta shohë atë duke futur në xhep nga 30 milionë euro për sezon. Dhe Juventusi duhet ta fitojë titullin në Seria A këtë sezon, në mënyrë që Ronaldo të bëhet lojtari i parë kampion në Itali, Spanjë dhe Angli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat