Flamurtari “bastis” Skënderbeun

Futboll

Flamurtari “bastis” Skënderbeun

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 12:20
Flamurtari “bastis” Skënderbeun

Ilir Daja ende nuk është zyrtarizuar në Vlorë, por puna e tij ka nisur të ndihet. Trajneri po formon një skuadër që pa frikë mund të quhet pretendente, edhe sepse te Flamurtari ai mund të ndiqet nga boshti kryesor i futbollistëve që kishte te Skënderbeu fitues i titullit dhe Kupës dhe që edicionin e kaluar luajti në grupet e Europa League.Edhe pse mungon zyrtarizimi, Tefik Osmani dhe Gjergji Muzaka kanë akord me kuqezinjtë dhe tashmë pritet që marrëveshja të formalizohet. Te Flamurtari kanë arritur gjithashtu akordin në parim edhe me Marko Radas.

Edhe pse kroati 34-vjeçar pritej në Korçë, për të qenë ai kapiteni i Skënderbeut, situata ka ndryshuar. Vlonjatët duket se kanë fituar sprintin, për të garantuar kualitet dhe eksperiencë në qendër të mbrojtjes.Osmani, Muzaka dhe Radas kanë gjithçka për të garantuar një skuadër konkurruese, por te Flamurtari nuk mjaftohen me kaq. Në radarët e klubit është edhe një tjetër prej yjeve të Skënderbeut në sezonet e fundit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Gledi Mici, që ishte lojtar i lirë dhe akordi me kuqezinjtë duket thuajse i përfunduar.

Ndërkohë, është çështje orësh firma me Idriz Bathën. Ish-kapiteni i Partizanit do të qëndrojë në Kategorinë Superiore, për të përfaqësuar tashmë Flamurtarin, pas marrëveshjes së prishur në momentet e fundit me AEL Larisa në Superligën greke, me argumentin se mefshori kishte festuar me simbolin e shqiponjës.Pesë blerje të mëdha, me lojtarë të mësuar të fitojnë dhe që kanë rritur entuziazmin në Vlorë, se ndoshta ky mund të jetë viti i duhur për të synuar titullin kampion që mungon prej vitit 1991.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat