Buffon dhe Al Khelaifi bashkohen te PSG, fjalë të mëdha për njëri-tjetrin

Futboll

Buffon dhe Al Khelaifi bashkohen te PSG, fjalë të mëdha për njëri-tjetrin

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 11:25
Gigi Buffon

“Perfekte, ky është Parisi”. Me një “tweet” në rrjetet sociale dhe fjalët e para të Gigi Buffon, PSG-ja njoftoi ardhjen e portierit 40-vjeçar, të lëshuar nga Juventusi. Në “cicërimë” me një video të shkurtër, për të treguar se Buffon tashmë e ka veshur fanellën e klubit francez. Gigi ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare, me opsion për një tjetër sezon.

Vetë portieri i njohur italian ka thënë: “Është një ndjenjë e madhe lumturie për të qenë pjesë e PSG. Për herë të parë në karrierën time, po e lë Italinë dhe kjo ndodhi vetëm për një projekt të tillë ambicioz. Falënderoj klubin dhe presidentin për besimin e tyre”. Janë këto fjalët e para të portierit të ri të PSG, Gigi Buffon, i cili pas 17 vitesh ka lënë Juventusin dhe ka vendosur të pranojë këtë sfidë të re:

“Duke ndjekur përparimet e pabesueshme në vitet e fundit të këtij klubi, unë e di se cilat janë ëndrrat e tifozëve të PSG. Personalisht do të jap të gjitha energjitë e mia, përvojën, etjen për fitore, që ta ndihmoj klubin tim të ri për të arritur qëllimet e mëdha që i ka vendosur vetes. Së bashku me shokët e mi dhe tifozët tanë, ne do të ndajmë disa emocione të mëdha në “Parc des Princes”. Ne do ta përfaqësojmë më së miri Parisin, këtë qytet të mrekullueshëm, që meriton ta shohë një ditë klubin e tij në krye të futbollit botëror”.

Presidenti Nasser Al Khelaifi, president i klubit, e mirëpret portierin italian: “Ne të gjithë jemi krenarë ta mirëpresim Buffonin në familjen tonë. Pafundësia e karrierës së tij, si dhe personaliteti i tij ambicioz, unifikues dhe elegant, e bëjnë atë një nga lojtarët më të admiruar dhe të respektuar në futbollin botëror. Në moshën 40-vjeçare, pasioni i tij për lojën e futbollit është e paprekur.

Gigi ka gjetur në projektin tonë ambientin ideal për objektiva të reja të rëndësishme, ndërsa do ta transmetojë përvojën e tij jo vetëm te portierët e tjerë, por edhe te të gjithë lojtarët tanë. Tifozët tanë do ta mirëpresin Buffonin me të gjithë pasionin dhe dashurinë që meriton. Ardhja e tij riafirmon dëshirën tonë për të synuar më lart e më të lart, një ambicie që ne synojmë ta ndjekim me një vendosmëri edhe më të fortë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat