Lleshi: Berisha mban regjim të rreptë sportiv

Futboll

Lleshi: Berisha mban regjim të rreptë sportiv

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 10:53
Valon Berisha

Valon Berisha te Lazio është kryetemë e mediave italiane, në përgjithësi, dhe të atyre pranë klubit bardhekaltër kryeqytetas, në veçanti, këto ditë. Në përpjekjet e tyre për të hulumtuar e “kornizuar” vlerat e Valonit si futbollist, por edhe si njeri jashtë kuadratit të blertë, redaksia e “lalaziosiamonoi.it” ka kontaktuar me Alfred Lleshin “Telesport”, duke na kërkuar më shumë informacion mbi mesfushorin e kombëtares së Kosovës, i cili i shtohet tashmë “kolonisë” shqiptare te Lazio (Tare, Cana, Et.Berisha, Strakosha). Më poshtë po botojmë intervistën e dhënë për këtë media online pranë klubit bardhekaltër.

Çfarë lloj lojtari është Valon Berisha? Po në lidhje me karakteristikat e tij?

Valon Berisha është një nga lojtarët shqiptarë më të mirë në qarkullim. Ai është formuar si futbollist në Skandinavi, por rrënjët i ka shqiptare (nga Kosova). Pa diskutim është lojtari më i mirë i kombëtares së Kosovës, lider i saj, që mund të zgjidhë një ndeshje i vetëm, sidomos nga goditjet standarde. Është një driblues i spikatur, një asistues mjaft i mirë, me veti shumë të mira organizative. Një “snajper” në goditjet nga distanca. Ka qenë pjesë e kombëtares së Norvegjisë, bashkë me vëllain e tij, por si një patriot (atdhetar) i madh që është, iu përgjigj pozitivisht ftesës për të luajtur me përfaqësuesen e Kosovës, ku është lider.

Diçka më tepër lidhur me disponimin e tij, brenda dhe jashtë fushës?

Jashtë fushës së lojës është një profesionist i madh, nuk abuzon kurrë me alkoolin dhe jetën e natës, si shumë lojtarë të tjerë. Mban regjim të rreptë sportiv. Mban lidhje të shumta me Shqipërinë dhe Kosovën, prej nga i ka rrënjët, edhe pse familjen e ka në Skandinavi (Suedi dhe Norvegji). Kësaj vere ka qenë në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushime, në Vlorë dhe Tiranë, si dhe ka përcjellë nga afër, live, një ndeshje të një kikboksierit të njohur shqiptar, Florian Marku. Pra, nuk ngurron ta thotë me krenari origjinën e tij shqiptare. Sa herë shënon gol, bën simbolin e shqiponjës me duar, siç bëri Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri pas dy golave ndaj Serbisë, në Botëror.

Sipas jush, pse ai zgjodhi Lazion dhe jo Sampdorian?

Ai zgjodhi Lazion prej shqiptarëve që kanë luajtur e luajnë aty (Lorik Cana, Etrit Berisha, Thomas Strakosha), edhe prej faktit se drejtor sportiv është Igli Tare. Nuk kam informacione, por me siguri, talenti i tij natyral dhe gatishmëria për të dhënë gjithçka në fushë për skuadrën që përfaqëson, kanë rënë në sy të Igli Tares, dhe ai mund të ketë bërë shumë për ta sjellë te Lazio. Ka preferuar Seria A, mes disa ofertave nga kampionate të tjera, sepse kampionati italian është shumë i ndjekur nga shqiptarët (Shqipëri, Kosovë e Diasporë)

Sipas jush, cili është momenti më i rëndësishëm në karrierën e tij?

Luajtja me Salzburgun në “Europa League”, sezonin e kaluar, kur eliminoi edhe Lazion, është kulmi i tij si lojtar në nivel klubi. Me Salzburg ai ka qenë disa herë kampion në Austri. Natyrisht, veshja e fanellës së kombëtares së Kosovës përbën një moment krenarie të veçantë për të.

A mendoni se ai do t’iu kujtojë shokëve të tij të rinj se çfarë iu ka ndodhur kundër Salzburgut, në “Europa League”?

Te Lazio ai do të japë gjithçka, sepse e konsideron si stacion tepër të rëndësishëm në karrierë. Nuk do të mjaftohet kurrë me pak te Lazio, por do të kërkojë të bëhet pikë referimi, lider i grupit. Është një lojtar me shumë ambicie profesionale dhe luan me zemër në çdo ndeshje. Do të jetë një motivues i madh edhe për lojtarët e tjerë të Lazios, edhe duke u kujtuar atyre eliminimin nga “Europa League”, ndaj Salzburgut.

Sa e rëndësishme ishte për popullin e Kosovës zgjedhja e tij për të luajtur me ekipin kombëtar të Kosovës dhe jo me Norvegjinë?

Kosova është shtet më vete, shteti më i ri në Ballkan, por kjo ka ndodhur për arsye gjeo-politike. Kosovarët janë shqiptarë si komb, flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtat zakone me shqiptarët në Shqipëri. Jemi vëllezër të një gjaku. Ai krenohet në botë si shqiptar, bën shqiponjën, simbolin e shqiptarëve, kur feston golat që shënon. Natyrisht, duke qenë lider te kombëtarja e Kosovës, është një emblemë edhe për tifozët dhe popullin atje.

A është Valon Berisha i ngjashëm me Lorik Canën për karizëm?

Lorik Cana njihet si kapiteni i krejt shqiptarëve, kudo që jetojnë, në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë. Për më shumë se një dekadë, Lorik Cana ka bërë krenar një komb të tërë, atë shqiptar. Lorik Cana rrezaton jo vetëm si futbollist për shqiptarët, por edhe si një “markë” shqiptare e njohur në Angli, Turqi, Itali dhe Francë. Cana është shumëdimensional për kombin shqiptar. Valon Berisha mund të ketë cilësi teknike si futbollist më të mira se Lorik Cana, por për të pasur karizmën e tij i duhet të ecë në gjurmët e Canës te Lazio, fillimisht, pastaj të ketë suksese edhe për kombëtaren e Kosovës. Lorik Cana ka lindur në Kosovë, por ka përfaqësuar kombëtaren e krejt shqiptarëve (atë të Shqipërisë), ndërsa Valon Berisha ka lindur në Skandinavi dhe përfaqëson kombëtaren e Kosovës, që është pjesë e kombit shqiptar, por një shtet më vete në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat