Strakosha te Liverpooli, transferimi edhe më pranë

Futboll

Strakosha te Liverpooli, transferimi edhe më pranë

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 14:43
Thomas Strakosha

Te Liverpooli janë optimistë se Thomas Strakosha do të jetë portieri i ri i Reds. Madje, mediat pranë klubit legjendar anglez besojnë se marrëveshja për transferimin e gardianit shqiptar është fare pranë.

Kjo edhe për faktin se Lazio ka gjetur zëvendësuesin e talentit kuqezi. Bardhekaltrit janë pranë mbylljes së marrëveshjes për portierin veteran të Olympiacosit, Silvio Proto, me belgun që pritet të zbarkojë shumë shpejt në Romë.

Ky transferim i lacialëve i hap rrugën transferimit të mundshëm të Strakoshës, vlera e të cilit është përcaktuar në 30 milionë euro. Kualitet dhe çmim i përballueshëm, të dy këto elementë i kanë bindur drejtuesit e Liverpool që të investojnë te 23-vjeçari.

Me mundësinë e transferimit të Thomas Strakoshës që është mëse e mundur, Reds janë tërhequr nga gara për brazilianin Allisson, për të cilin Roma pretendon mbi 70 milionë euro, por edhe për portierin e Milanit dhe përfaqësueses italiane, Gianluigi Donnarumma, për të cilin çmimi vlerësohet tepër i lartë.

Marrëveshja me Lazion për Strakoshën do të ishte mjaft fitimprurëse për Liverpoolin, që më në fund do të afronin një portier të ri në moshë dhe që jep garanci, por mbi të gjitha pa u detyruar të bëjnë shpenzime të çmendura në merkato.

Megjithatë, finalistët e edicionit të kaluar në Champions janë të vetëdijshëm se duhet të nxitojnë për të mbyllur marrëveshjen, pas për kuqeziun interesohet edhe Bayer Leverkusen në Bundesligën gjermane, që kërkon zëvendësuesin e Bernd Leno që kaloi te Arsenali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat