Short “ferri” për Partizanin dhe Laçin, më me fat Luftëtari

Futboll

Short “ferri” për Partizanin dhe Laçin, më me fat Luftëtari

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 13:42
Ilustrim

Sot në mesditë, në Nyon të Zvicrës u hodh shorti për turin e parë kualifikues të Ligës së Europës, ku marrin pjesë edhe tri skuadra nga Shqipëria. Kësisoji, “goglat” kanë zbuluar kundërshtarë të vështirë për Partizanin dhe Laçin. Më konkretisht, “demat e kuq”, me trajner Skënder Gegën, do të ballafaqohen me nënkampionët e Sllovenisë, Mariborin, një kundërshtar me shumë eksperiencë ndërkombëtare dhe gjithmonë kompetitiv në Europë.

Partizani do ta luajë ndeshjen e parë në stadiumin “Selman Stërmasi”, më 12 korrik, ndërsa bardhezinjtë e bluzinjtë në transfertë. Sfidat e kthimit do të luhen një javë më pas. Kujtojmë se me Mariborin luan edhe lojtari ynë i kombëtares, Valon Ahmedi, të cilit i është besuar një fanellë kuqezi nga trajneri Christian Panucci.

Nga ana tjetër, short i vështirë ka rezultuar edhe për Laçin e trajnerit Besnik Prenga. Qipriotët e Anorthosis duken thuajse të pakalueshëm për kurbinasit, sepse kanë mjaft eksperiencë ndërkombëtare, buxhet financiar të konsiderueshëm dhe lojtarë cilësorë. Kjo është ish-skuadra e Arian Beqajt, dikur portieri i kombëtares sonë kuqezi.

Nga tri skuadrat tona, më me fat duket se ka qenë Luftëtari. Gjirokastritët do të sfidojnë letonezët e Ventspils. Ata luajnë prej vitesh dhe rregullisht në Kupat e Europës, por nga emrat e mundshëm në short, ishin rivalët më të pranueshëm për bluzinjtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat