Para garës, Presidenti Thaçi i dorëzoi flamurin Ekipit Olimpik

Futboll

Para garës, Presidenti Thaçi i dorëzoi flamurin Ekipit Olimpik

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 11:14
Hashim Thaçi

(E plotësuar)- Presidenti Hashim Thaçi u ka dorëzuar solemnisht flamurin shtetëror, Ekipit Olimpik të Kosovës, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” në Spanjë.

Presidenti Thaçi u ka uruar sportistëve suksese në garë dhe një ecje të mbarë ashtu siç e kishte xhudistja e artë, Majlinda Kelmendi.

Thaçi: Prej 4-5 sportistëve që na kanë përfaqësuar më herët, tash kemi arritur në 40 sportistë

“Unë sapo ju dorëzova sot solemnisht flamurin e Republikës së Kosovës, ekipit olimpik të Kosovës, i cili nesër do të niset për në Spanjë, ku për herë të parë do ta përfaqësojë Kosovën në lojërat olimpike mesdhetare Tarragona 2018, që mbahen pra në Tarragona të Spanjës. Gjithashtu për herë të parë po përfaqësohemi zyrtarisht nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë. Numri i sportistëve tanë që po marrin pjesë në gara ndërkombëtare është duke u rritur çdo herë e më tepër, dhe kjo po shihet edhe nga pjesëmarrja në këtë sallë, e cila nuk po i nxë të gjithë. Pra prej 4-5 sportistëve që na kanë përfaqësuar më herët, tash kemi arritur në 40 sportistë dhe vitin tjetër besoj që do të ngritemi edhe më tepër”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Ai ka uruar që flamuri i Kosovës të lartësohet si simbol shtetëror i fitoreve të sportistëve.   

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, me këtë rast është shprehur i kënaqur me pranimin solemn të flamurit.

Hasani: Është edhe ndjenja e krenarisë që ky flamur do të valojë në Tarragona

“Përtej kënaqësisë që po pranojmë sot flamurin e Republikës së Kosovës, është edhe ndjenja e krenarisë që ky flamur do të valojë në Tarragona ku mbahen lojërat mediteriane, në të cilat ne marrim për herë të parë pjesë, dhe marrim me një numër solid, me një numër prej 40 sportistëve, janë përgatitur mjaft mirë sportistët dhe besoj se edhe do e tregojnë më të mirën e tyre gjatë këtyre lojërave”, u shpreh Hasani. 

Ai tutje ka thënë se sportistët mund të frymëzohen kur shohim përkrahje jo vetëm të drejtuesve të sportit, por edhe të liderëve të shtetit.

E pranishme në këtë dorëzim të flamurit ishte edhe xhudistja e artë kosovare, Majlinda Kelmendi, e cila ka shpjeguar edhe arsyet pse do të mungojë në këtë garë, duke shtuar se është kënaqëi për të pranimi i flamurit.

Kelmendi: Fatkeqësisht nuk do të marrë pjesë në këtë garë

“Më bën me u ndje jashtëzakonisht mirë fakti që është një numër i madh i sportistëve që do të marrë pjesë në lojëra mesdhetare, në krahasim me numrin që e kemi pas në Rio. Unë fatkeqësisht nuk do të marrë pjesë në këtë garë për shkak të lëndimit që e kam pas, dhe realisht që 3-4 javë kam fillu me ushtru xhudo, po po besoj dhe po shpresoj shumë që këta sportistë që i kemi këtu kanë me përfaqësu denjësisht shtetin tonë që po merr pjesë për herë të parë në lojëra mesdhetare”, ka thënë ajo.

Kelmendi u ka bërë thirrje sportistëve që të ndjehen krenarë për flamurin të cilin do ta përfaqësojnë. 

Thaçi ia dorëzon flamurin Ekipit Olimpik të Kosovës (Drejtpërdrejt)

Presidenti Hashim Thaçi, ia dorëzon solemnisht Flamurin e Kosovës, Ekipit Olimpik të Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” në Spanjë.

Ngjarja është e paraparë të fillojë në orën 11:00 në Kabinetin e Presidentit

.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat