Sejdini: Vdekja e Vokrrit humbje madhe, Ademi njeriu i duhur për vazhdim të proceseve

Futboll

Sejdini: Vdekja e Vokrrit humbje madhe, Ademi njeriu i duhur për vazhdim të proceseve

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 16:02
Sejdini me Ademin

Federata e futbollit e Kosovës (FFK) është gjetur para një sfide shtesë dhe të papritur në drejtim të vazhdimit realizimit të projekteve të parapara për avansimin e futbollit. Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, si dhe pjesëmarrjes debutuese të përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret për botërorin "Rusi 2018", FFK ka hartuar planet e radhës të cilat do të duhet të vazhdohen pa njeriun kryesor, Fadil Vokrrin.

Vdekja e papritur e presidentit të FFK-së shfaq një sfidë shtesë dhe serioze të cilën duhet ta kalojë shtëpia e futbollit. "Kur kanë kaluar thuajse 10-të ditë nga vdekja e Vokrrit mund të them se ende sikur nuk mund ta besojmë se ai nuk është më në mesin tonë. Kemi humbur një njeri të madh, legjendë si futbollist dhe si udhëheqës, ideor dhe udhëheqës i proceseve të pranimit të futbollit të Kosovës në istancat ndërkombëtare.

Vokrri dha shumë për shoqërinë shqiptare në fushën e futbollit, humbja e tij është e pakompenzueshme, por paralel me krenarinë që e patëm, të gjithë duhet të përkushtohemi maksimalisht për të vazhduar proceset që kishte nisur tashmë i ndjeri", shprehet nënkryetari i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, i cili është njohur për afërsinë e madhe me të ndjerin Fadil Vokrri dhe FFK-në në përgjithësi.

Sejdini ishte krahë për krahë me Vokrrin dhe Dukën (presidenti i FSHF-së) gjatë gjithë procesit të ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar dhe si i tillë njeh mirë rrugën që duhet të ndjek FFK pas humbjes së madhe me vdekjen e Fadil Vokrrit. "E përsëris se humbja e Vokrrit është e madhe, dhimbja gjithashtu por jeta vazhdon dhe duhet shikuar para. Duke qenë gjithmonë në afër tanimë presidentit të ndjerë gjatë gjithë proceseve të rëndësishme vlerësoj se nënkryetari Agim Ademi është njeriu i duhur për të vazhduar në krye të Federatës së futbollit të Kosovës.

Është me rëndësi kapitale që mos lejohet ndërprerja apo mos konsistenca e proceseve dhe kjo do mbrohej vetëm nëse të njejtat i vazhdon dikush që është në rjedha me gjithçka. Kjo është arsyeja që Ademin e bën njeriun adekuat për pozitën e presidentit të FFK-së. Këtu nuk duhet lënë pa potencuar edhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Saliun. Fakti të Saliu dhe Ademi ishin bashkëpunëtorët më të afërt të Vokrrit më bind se ata janë të aftë dhe zgjidhje e duhur për të vazhduar progresin e futbollit kosovar", përfundoi numri '2' i futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini. Pas vdekjes së papritur të Fadil Vokrrit, pritet organizimi i Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Federatës së futbollit të Kosovës, pozitë për të cilën favorit duket nënkryetari aktual, Agim Ademi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat