Haxhiu: Vetëm emri nuk kryen punë

Futboll

Haxhiu: Vetëm emri nuk kryen punë

Nga: Kemajl Goca Më: 11 qershor 2018 Në ora: 19:45
Valdrin Haxhiu

Trepça nga Mitrovica nuk i përmbushi synimet në kampionatin që e lamë pas, për faktin se mbeten jashtë garave të play-off-it në IP Superligën e Kosovës në basketboll. Mitrovicasit zunë vendin e pestë me 40 pikë, por kjo pozitë ishte zhgënjyese kur dihet namin i këtij kolektivit dhe në fakt gjithmonë ka qenë në garë për titullin e kampionit. Basketbollisti i Trepçës, Valdrin Haxhiu, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se pa Trepçë të fortë nuk ka edhe ligë të fortë! “Qysh këtë vit u vërtetua ajo thënia që pa Trepçë të fortë edhe liga nuk është e fortë. Por, besoj që njerëzit që ia dojnë të mirën Trepçës kanë me punua që këtë vit të startojmë të kompletuar dhe me objektiva të qarta qysh në fillim.

E them këtë duke ditur vitin e kaluar që kemi startuar vetëm për mbijetesë”, tha Haxhiu. Pa Trepçën dhe Pejën u zhvillua gara e play-off-it, a ishte diçka e pazakontë? “Realisht gjithë opinioni gjatë gjithë kampionatit na ka përcjellë me shqetësimet se qysh Trepça dhe Peja, dy qytete me traditë në basketboll, mos të jenë në garë për trofe. Mirëpo, ndoshta nganjëherë nuk i dihet dhe duhet të marrim mësim që vetëm emri nuk kryen punë, megjithatë duhet angazhim i të gjithëve si në Pejë e në Mitrovicë, që ekipet e zemrës të jenë sa më lartë”, theksoi basketbollisti që luan në pozitën e alos.  Haxhiu nuk është i kënaqur edhe me rrjedhën e kampionatit.

“Përveç Trepçës të gjitha ekipet kanë pasur probleme themelore në organizim, që ka qenë që në fillim sinjal se do të jetë ndoshta kampionati më i dobët i pas luftës. Personalisht nuk mbaj mend që ka qenë më i dobët, kjo u vërtetu që përveç në Mitrovicë palestrat kanë qenë të zbrazura e që është treguesi më i mirë për nivelin e ligës”, ka thënë Haxhiu.  A ka pasur hapësirë me shumë për vendorët? “Ndoshta, e vetmja dritë në terrin e këtij viti ka qenë ajo, prandaj duhet punohet më shumë me djemtë e ri sidomos këtë vit na kanë befasuar”, thotë ai.  Basketbollisti ka treguar se çka i mungon ekipit: “Prej vitit 2012-13 renovimi i palestrës la shumë për të dëshiruar, mungesa e punës më të rinj ka qenë shumë e rëndë e që vërehet pas shumë viteve, si dhe kryesorja problemet financiare si në gjithë ekipet kanë arritur kulminacionin, e që për lojtaret është humbje e vullnetit të punës”. A mendoni se në edicionin e ri do të investohet më shumë nga klubet?

“Të gjithë e presim të shumë përfolurin ligjin mbi sportin dhe sponzorizimin që është edhe shpresa më e madhe, duke ditur që edhe kompanitë e mëdha do të kenë më lehtë të investojnë në sport, duke pasur edhe përfitime. Andaj, shpresoj dhe është dëshirë e imja edhe çdo sportisti që një herë e mirë të mos kemi probleme me mjetet dhe kushtet elementare. Besoj që basketbolli prapë është sporti numër 1 në Kosovë dhe viti i ardhshëm do të sjell emocione më të mëdha”, tha Haxhiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat